LETRA 67
6 Sefer 1330
Ku është Testamenti i Profetit?
Sunnitë nuk njohin ndonjë wasijet të lënë për ‘Alīun e as që janë të njohur me ndonjë gjë nga përmbajtja e tij; prandaj, ju lutem, kini mirësinë dhe na e rrëfeni historinë e tij, Wesselam.
Sinqerisht,
S
LETRA 68
9 Sefer 1330
Tekstet e Testamentit
1) Tekstet lidhur me testamentin janë mutewātir përmes Imamëve të pasardhjes së pastruar; prandaj, drejtojuni asaj që është pohuar rreth kësaj nga të tjerët, siç tregon Letra 20 që citon pohimet e të Dërguarit të Allahut (s) i cili e kapi ‘Alīun për qafe e tha: “Ky është vëllai, trashëguesi dhe zëvendësi im; ai do të më pasojë mua në të drejtuarit tuaj; prandaj, dëgjojeni dhe bindjuni atij.” Muhammed ibn Hāmid el-Rāzīu citon Seleme el-Ebreshin, Ibn Is’hākun, Ebū Rabī’e el-Ejādin, Ibn Burejden, duke përfunduar me babain e këtij të fundit Burejde, që citon të Dërguarin e Allahut (s) duke thënë: “Për çdo profet ka një khalīfe dhe wasi; khalīfi dhe wasiu im është ‘Alī ibn Ebī Tālibi.”
(Dhehebīu e ka cituar këtë hadīth gjatë diskutimit të jetëshkrimit të Sherīkut në elMīzān ul-I’tidāl, duke e përgënjeshtruar atë e duke pretenduar se Sherīku s’mund ta ketë toleruar përcjelljen e një hadīthi të tillë. Ai thotë: “Muhammed ibn Hāmīd erRāzīu nuk është i besuar.” Përgjigja jonë ndaj pretendimit të tij është se Imam Ahmed ibn Hanbeli, Imam Ebū’l-Kāsim elBegewīu, Imam Ibn Xherīri, Imami i kritikëve dhe verifikuesve Ibn Ma’īni, dhe të tjerë nga kalibri i tyre, i kanë besuar të gjithë Muhammed ibn Hāmidit dhe ia kanë përcjellë hadīthin, sepse ai është mentori i tyre.
Një autoritet i besueshmëm si Dhehebīu e pranon këtë në jetëshkrimin e tij të Muhammed ibn Hāmidit në Mīzān. Ai burrë s’mund të akuzohet me rāfidizëm a shī‘izëm, por kritiku është paraardhës i Dhehebīut; ndaj, nuk ka arsye për t’i hyrë një akuzimi të tillë mbi hadīthet e tij. [Autorët e mëposhtëm e citojnë hadīthin “Për çdo profet ka një wasi dhe një warith, dhe wasi-u e warith-i im është ‘Alī ibn Tālibi”: el-Muttekī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, f. 158; Khātibi në Tarīkh ul-Baghdād, vëll. XI, f. 173; el-Hasākānī në Shewāhid ut-Tenzīl, vëll. II, f. 223 dhe el-Kundūzī elHanefī në Jenābi’ ul-Muwedde, f. 94] )
Në Kebīr-in e tij, me isnād te Selmān Fārsīu, Taberānīu e citon këtë duke transmetuar nga Profeti (s) se: “Zëvendësi, i besuari dhe njeriu më i mirë që po lë pas meje për të përmbushur zotimin tim dhe vënë në jetë fenë time është ‘Alī ibn Ebī Tālibi.”
(Ky është shprehimisht hadīthi 2570 në fund të f. 155, vëll. VI i Kenz ul-‘Ummāl-it, dhe autori e citon atë përsëri në Muntekheb ul-Kenz; prandaj, drejtojuni Muntekheb-it, shënimit në f. 32, vëll. V i Musned-it të Ahmedit.)
Ky është një tekst i qartë që vërteton se ai është zëvendësi si dhe dëshmi e sigurtë se ai është më i miri ndër njerëz pas Profetit (s). Ai përmban një urdhër detyrues se ‘Alīu duhet ta zëvendësojë atë (s), dhe se njerëzit duhet t’i binden atij, siç është e qartë për të mençurin.
Hāfiz Ebū Na‘īmi citon Enesin në Hiljet ul-Ewlijā’ duke thënë se i Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të e pasardhjen e tij, i tha atij:
“O Enes! I pari që do të hyjë në këtë derë është Imami i të përzotshmëve, prijësi i muslimanëve, i pari i fesë, vula e wasive të profetëve, udhëheqësi i më të devotshmëve ndër njerëz.” Enesi thotë se ‘Alīu hyri brenda. I Dërguari i Allahut (s) u ngrit me gjallëri, përqafoi ‘Alīun e i tha: “Ti do të kryesh përgjegjësinë time, do të përcjellësh udhëzimet e mia dhe do t’ua shpjegosh të gjitha gjërat për të cilat ata do të polemizojnë pas meje.”
Taberānīu citon Ebū Ejjūb Ensārīun në el-Kebīr duke thënë se Profeti (s) iu drejtua njëherë Fātimesë:
“O Fātime! A nuk e di ti se Allahu, i Buti u hodhi një shikim banorëve të tokës dhe zgjodhi babain tënd mes tyre dhe e nisi atë si të Dërguarin e Vet, pastaj Ai hodhi një shikim të dytë dhe përzgjodhi burrin tënd e më frymëzoi mua të të martoj me të dhe ta caktoj atë si zëvendësin tim?”
(Ky hadith, si në përmbajtje ashtu edhe në sened, gjendet në Kenzu-l-ummal 6/153, numër 2541. Është regjistruar në Muntehab-l-Kenzu, andaj shikoni në Muntehab të shtypur në margjinat e Musnedit të Ahmedit 5. /31.)
Vini re si e përzgjodhi Allahu ‘Alīun nga tërë banorët e tokës, menjëherë pasi zgjodhi nga mesi i tyre Vulën e profetëve të Tij (s), dhe shihni se si zgjedhja e zëvendësit kryhet në po atë vijim të zgjedhjes së Profetit (s). Gjithashtu vëreni se si e frymëzoi Allahu Profetin e Tij (s) ta kremtonte martesën e tij dhe ta caktonte atë si zëvendësin e vet. Shihni nëse zëvendësit e profetëve ishin tjetër pos wasi-ve të tyre. A i ka hije të shtyhet mënjanë më i miri ndër robërit e Allahut, wasi-u i kreut të profetëve të Tij e të preferohet një tjetër para tij?
A është me vend që dikush tjetër, e jo ai, t’i sundojë muslimanët e ta bëjë atë njërin prej vartësve dhe banorëve të tij?
A e pranon arsyeja që një të zgjedhuri nga njerëzit duhet t’i bindet ai që është përzgjedhur nga Allahu ashtu siç përzgjodhi Ai Profetin e Tij?
Si ka mundësi që si Vetë Zoti, ashtu dhe i Dërguari i Tij (s) caktuan atë ndërsa ne zgjedhim një tjetër? {Asnjë besimtari apo besimtareje nuk i takon që kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin një çështje, të bëjnë në të ndonjë zgjedhje të tyren. E kush nuk i bindet Allahut e të Dërguarit të Tij, ai padyshim është shmangur shumë nga e Vërteta} (33:36).
Hadīthet u bënë aq të shumta saqë porsa hipokritët, smirëlitë, dhe synuesit e interesit morën vesh se i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të e pasardhjen e tij, do të martonte të bijën Fātime ezZehrā’në, zonjën e grave në Xhennet, me ‘Alīun, ata e lakmuan ‘Alīun dhe ishin shumë të shqetësuar, sidomos ngaqë shumë prej tyre e kishin kërkuar pa sukses dorën e saj.
Ata folën se ky ishte tregues për statusin e ‘Alīut; ndaj askush nuk shpresonte të ishte si ai, ata madje komplotuan e thurën plane. Ata çuan gratë e tyre te Zonja e Grave të Botëve në përpjekje për ta kthyer kundër ‘Alīut. Mes fjalëve që i thanë asaj qe se ‘Alīu ishte i varfër dhe nuk kishte ndonjë pronë në këtë botë, por ajo, paqe pastë mbi të, ishte krejt e vetëdijshme për komplotin dhe qëllimet e tyre të liga si dhe ato të burrave të tyre. Megjithatë, ajo s’i ofendoi ato assesi, gjersa Vullneti i Allahut Fuqiplotë e të Gjithdijshëm dhe ai i të Dërguarit të Tij (s) u krye. Pikërisht atëherë ajo desh t’ua tregonte atyre grave statusin që gëzonte Prijësi i Besimtarëve me të cilin Allahu do t’i turpërojë armiqtë e tij dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Përse më martove me një burrë të varfër që nuk ka para?” Ai (s) u përgjigj siç u citua më lart.
Kur Allahu dëshiron të nxjerrë në shesh Një virtyt të fshehur nga çdo sy e vesh Atij më në zë Ai përherë ia lehtëson Që gjithkush zili e ka dhe e lakmon.
Khātibi citon një autoritet isnād-i i të cilit pranohet njëzëri, dhe i cili është tejet i nderuar, gjegjësisht Ibn ‘Abbāsin, që thotë:
“Kur Profeti (s) kremtoi martesën e Fātimesë dhe ‘Alīut, Fātimeja tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Më ke martuar me një burrë të varfër i cili nuk ka asgjë.’ Profeti i tha: ‘A s’je e kënaqur që Allahu ka zgjedhur nga banorët e tokës dy njerëz njëri prej të cilëve është babai yt dhe tjetri është burri yt’?”
Duke radhitur cilësitë e ‘Alīut, Hākimi citon në f. 129, vëll. i III i Mustedrek-ut, Sarīxh ibn Jūnusin duke cituar Ebū Hafs Eberin, el-A’meshin, Ebū Sālihun deri te Ebū Hureire, që citon Fātimen duke thënë:
“O i Dërguari i Allahut! Përse më ke martuar me një burrë të skamur?” Ai (s) u përgjigj: “O Fātime! A s’je e kënaqur që Allahu, i Madhëruari e i Larti, i vështroi banorët e tokës e zgjodhi prej tyre dy njerëz njëri prej të cilëve është babai yt e tjetri burri yt?” Ibn ‘Abbāsi citohet duke pohuar se i Dërguari i Allahut (s) i kishte thënë Fātimesë: “A nuk je e kënaqur që të kam martuar me atë që është i pari që e pranoi Islamin dhe i dhuntisuri me më shumë dije? Ti je Zonja e grave të ummetit tim; a nuk je e kënaqur, o Fātime, që Allahu u hodhi një shikim njerëzve të tokës e zgjodhi dy persona prej tyre: njëri është yt atë e tjetri yt shoq?”
Kurdoherë që Zonja e grave të botëve kalonte ndonjë vuajtje, i Dërguari i Allahut (s) i kujtonte asaj mirësinë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij ndaj saj, pasi ai e kishte martuar me më të mirin e ummetit të vet, duke e ngushëlluar e duke ia hequr nga kraharori çdo dhimbje që i kishte sjellë asaj koha. Ju mjafton si dëshmi për këtë çështje ajo që Imam Ahmedi ka pohuar në f. 26, vëll. V i Musned-it, ku ai citon një hadīth të veçantë përcjellë nga Ma’kil ibn Jasāri ku Profeti (s) tregohet ta ketë vizituar Fātimenë kur ajo u sëmur e t’i ketë thënë: “Si ndjehesh?” Ajo u përgjigj: “Për Allah, hidhërimi më është shtuar, privimi më është përkeqësuar dhe sëmundja po më zgjat së tepërmi.” Ai (s) i tha: “Megjithatë, a s’je e kënaqur që të kam martuar me të parin e ummetit tim që pranoi Islamin, të dhuntisurin me më tepër dije, e më të madhin në dhembshuri?” Hadīthet rreth kësaj çështjeje janë të shumta dhe nuk ka vend për t’i cituar të gjitha në këtë letër, Wesselam.
Sinqerisht,
Sh