LETRA 65
5 Sefer 1330
Kërkesa për Hadīthe të Lidhura me Trashëgiminë
Ju lutem, na e tregoni hadīthin e trashëgimisë siç e transmetojnë sunnitë, Wesselam.
Sinqerisht,
S
LETRA 66
5 Sefer 1330
‘Alīu është Trashëgimtari i Profetit (s)
Nuk ka asnjë dyshim se i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të dhe pasardhësit e tij, i ka lënë ‘Alīut një trashëgimi dijeje e urtie sa ajo që u ka lejuar Fuqiploti profetëve të Tij e wasi-ve për të trashëguar, saqë i Dërguari i Allahut (s) tha: “Unë jam qyteti i diturisë e ‘Alīu është porta e tij; ndaj, ai që kërkon dije le të vijë nga porta.” (Ne e kemi cituar këtë hadīth dhe ata të dy që i paraprijnë, në Letrën 48. Drejtojuni aty hadītheve 9, 10 e 11 dhe mos i anashkaloni komentet tona.)
Ai, paqe pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, ka thënë: “Unë jam depoja e urtisë, dhe ‘Alīu është dera e saj... ‘Alīu është hyrja e dijes sime, ai që shpjegon pas meje Mesazhin me të cilin jam dërguar; dashuria për të tregon besim të sinqertë, urrejtja ndaj tij është hipokrizi.”
Sipas Zejd ibn Ebū ‘Aufit, ai iu drejtua ‘Alīut kështu: “Ti je vëllai dhe trashëgimtari im”; (Ne e kemi cituar hadīthin në fjalë në Letrën 32.) me ç’rast ‘Alīu pyeti: “Dhe çfarë do të më lësh trashëgimi?” Ai, paqe pastë mbi të e familjen e tij, u përgjigj: “Gjithë çka linin trashëgimi profetët para meje.” Në një hadīth tjetër, ai, sipas Burejdes, tha: “Trashëguesi i dijes sime është ‘Alīu.” (Drejtojuni kësaj në Letrën 48.)
Drejtojuni hadīthit në ditën e paralajmërimit. Gjatë jetës së Profetit (s), ‘Alīu e kishte zakon të thonte: “Për Allah, unë jam vëllai, zëvendësi e kushëriri i tij, dhe trashëguesi i dijes së tij; ndaj, kush është më i denjë se unë për të tëra këto?”
(Ky pohim konfirmohet shprehimisht si i ‘Alīut. Ai citohet nga Hākimi në Mustedrek f. 126, vëll. III, në një hadīth sahīh sipas kritereve të Bukhārīut e Muslimi. Dhehebīu, në Telkhīs ulMustedrek, ka pranuar të njëjtën.)
Njëherë e pyetën ‘Alīun:
“Si e trashëgove ti kushëririn (s) e jo xhaxhain tënd?”
Ai u përgjigj: “I Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të e familjen e tij, i mblodhi pasardhësit e ‘Abdul-Muttelibit që ishin disa syresh, dhe secili prej tyre kishte një uri që do i shihte edhe trungjet e pemëve si të ngrënshme dhe do pinte edhe ujin e papijshëm, e ai u përgatiti një copë bukë sa një simite; megjithatë, ata hëngrën të gjithë gjersa u ngopën, ndërsa ushqimi dukej sikur s’ishte prekur. Atëherë ai, bekime pastë mi të e familjen e tij, tha: ‘O pasardhës të ‘Abdul-Muttelibit! Jam dërguar te ju në veçanti dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi; cili prej jush zotohet të bëhet vëllai, waliu e wasiu im?’ Asnjëri nuk u ngrit, atëherë unë u ngrita, ndonëse më i riu mes tyre, por ai (s) më tha të ulem. Ai e përsëriti pyetjen e tij dy herë, dhe çdo herë unë isha i vetmi që u ngrit e çdo herë ai më tha të ulesha. Herën e tretë, ai shtrëngoi duart me mua; ja si e trashëgova unë kushëririn e jo xhaxhain tim’.”
(Ky hadīth qëndron mbi truall të fortë dhe është i gjatë. Ai është cituar nga elDijā’ el-Mekdisī në Mukhtāra dhe nga Ibn Xherīri në Tehthīb ul-Edher. Ai është hadīthi 6155 në f. 408, të vëll. VI të Kenz ul-‘Ummāl-it. Ai po ashtu citohet edhe nga Nesā‘īu në f. 18 të Khasā’is ‘Alī, dhe transmetohet nga Ibn Ebī’l-Hadīdi prej Tarīkh-ut të Taberīut afër fundit të komentit të hytbes kāsi’e, f. 255, vëll. III, i Sherh Nehxhul-Belāgës. Drejtojuni gjithashtu f. 159, vëll. I i Musned-it të Ahmedit ku do e gjeni të njëjtin hadīth ta përcjellë këtë kuptim.)
Sipas Mustedrek-ut të Hākimit, (Ai ndodhet në f. 125 të vëll. III. Ai citohet gjithashtu nga Ibn Ebī Shejbe, dhe është hadīthi 6084 në faqe 400, vëll. Vi i Kenz ul-‘Ummāl-it.) dhe Telkhīs-it të Dhehebīut, të cilët ia konfirmojnë që të dy vërtetësinë, Kathem ibn el-‘Abbāsi u pyet njëherë:
“Si e trashëgoi ‘Alīu të Dërguarin e Allahut (s), para jush?”
Ai u përgjigj: “Kjo falë të qenit e tij i pari nga ne që e ndoqi dhe që u shoqërua me të më tepër se cilido prej nesh.”
Dihej mirë se ‘Alīu, dhe jo xhaxhai i tij el-‘Abbās apo cilido pasardhës i Hashimit, ishte trashëguesi i të Dërguarit të Allahut (s). Ata e pranuan këtë si një fakt të kryer, ndonëse ishin njoftuar për arsyen që kjo trashëgimi u kufizua vetëm tek ‘Alīu, i cili ishte kushëriri i Profetit, e jo te ‘Abbāsi, xhaxhai i tij, apo cilido xhaxha ose kushëri tjetër i Profetit, paqe pastë mbi të e familjen e tij.
Për këtë arsye, ata herë pyesnin ‘Alīun e herë Kathemin dhe ky u përgjigjej si më lart, në një mënyrë kënaqëse për të kuptuarit e atij që pyeste. Me fjalë të tjera, përgjigja është se Allahu, i Lartësuari e i Gjithdijshmi, u hodhi një shikim njerëzve në tokë e zgjodhi prej tyre Muhammedin (s) dhe e ngriti atë në shkallën e Profetit, pastaj ai vështroi sërish dhe zgjodhi ‘Alīun, dhe e frymëzoi të Dërguarin e Tij (s) ta merrte si trashëgimtar e khalīf.
Në faqen 125, vëll. III i Mustedrek-ut, Hākimi, pasi citon Kathemin që pohon të mësipërmen, thotë: “Kadiu Suprem Ebū’l-Hasan Muhammed ibn Sālih el-Hāshimi, më tha se ai e dëgjoi kadi Ebū ‘Umerin duke thënë: ‘E dëgjova kadi Ismā‘īl ibn Is‘hākun, pasi u informua mbi pohimin e Kathemit, të thonte se një njeri e trashëgon një tjetër ose me lidhje gjaku ose me besnikëri të sinqertë, dhe burrat e dijes nuk e diskutojnë faktin se [nën kushte normale] një kushëri nuk bëhet trashëguesi ndërkohë që xhaxhai [babai i tij] është ende gjallë.’ Sipas një konsensusi të tillë, ‘Alīu e trashëgoi dijen e Profetit (s), e jo ata.”
Ç’është e vërteta, historianët janë mutewātir në raportimin e një fakti të tillë, veçanërisht përmes burimeve të Pasardhjes së pastruar, dhe mjafton për ne si provë Testamenti dhe tekstet e tij të qarta, Wesselam.
Sinqerisht,
Sh