LETRA 59
28 Muharrem 1330
I E Vërteta Shpaloset,
II Evazioni.
1) Unë kurrë nuk kam parë, as në të kaluarën e as në të tashmen, ndokënd më të butë në ton e më të fortë në argument, se ju. Tani e vërteta e ka shpalosur veten falë provave që ju parashtruat, duke ia çjerrë maskën dyshimit dhe zbuluar fytyrën e këndshme të bindjes. Ne nuk pohojmë më se kuptimi i wali dhe mawla në hadīth ul-Gadīr është ‘i pari’, apo se nënkupton ‘mbështetës’ a ngjashëm, e as kurrgjë të ngjashme me atë që pat sugjeruar njeriu i cili kërkoi dënimin e sigurt; pikëpamja juaj për ‘mawla’-në qëndron mbi truall të fortë, dhe merret si e mirëqenë.
2) Sikur të pajtoheshit me interpretimin tonë të këtij hadīthi i cili mbështetet nga një grup dijetarësh të njohur, përfshi Ibn Haxherin në Sawā‘ik ul-Muhrike dhe Halebīun në Sīre. Ata debatojnë që edhe nëse e pranojmë se ai është më i denji për imamet, qëllimi këtu është futurist; përndryshe, ai do ishte bërë Imam megjithë praninë e Profetit (s) [që është një situatë e pamundur, sepse Profeti, për sa kohë ishte gjallë, ishte Imami i vetëm], i cili nuk e kundërshtonte ardhjen e një Imami pas tij. Është sikur Profeti (s) të ketë thënë: “‘Alīu do të jetë Imam sapo të ketë marrë betimin”; një situatë e tillë pra, s’do i binte ndesh përparësisë së tre khalīfëve; kështu, ajo ruan nderin e të parëve të mirë, Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Sinqerisht,
S
LETRA 60
30 Muharrem 1330
Rrëzimi i Evazionit
Ju, Allahu e mbështestë të vërtetën përmes jush, na kërkuat të bindemi që kuptimi i hadīthit të Gadīrit është se ‘Alīu është më i denji për imamet kur dhe nëse muslimanët e zgjedhin atë si të tillë e i japin atij betimin; rrjedhimisht, përparësia e tij të cilën e aludon hadīthi, është futuriste para se të jetë e menjëhershme. Me fjalë të tjera, një përparësi e tillë do të ndodhë kur dhe nëse merret me forcë, para së qeni aktuale, që të mos përplaset me khilāfetin e tre Imamëve që i paraprinë atij. Po ju pyesim në dritën e së vërtetës, dinjitetin e së drejtës, virtytin e paanshmërisë dhe logjikën e ndershmërisë, nëse vetë ju jeni i bindur për këtë, që t’ju ndjekim e të pasojmë gjurmët tuaja. A pajtoheni ju vetë të jepni një shpjegim të tillë, ose a mund t’ju mvishet ai juve, që të ecim gjurmëve të juaja dhe të veprojmë si ju?
Unë nuk mendoj se ju jeni i bindur dhe i kënaqur me një pikëpamje si kjo. Jam i sigurt se vetë ju çuditeni për këdo që do të pranonte të nxirrte një kuptim të tillë për këtë hadīth kur teksti nuk e sugjeron aspak atë, e as që mund ta kuptojë ndokush ashtu; jo, ai madje sfidon urtinë dhe maturinë e Profetit, estaghfīrullāh. Ai s’pajtohet as me veprat e tija të larta, as me pohimet tejet serioze të bëra Ditën e Gadīrit, as me provat e pakundërshtueshme që parashtruam më sipër, as me atë që kuptoi Hārith ibn elNu‘mān el-Fahrīu dhe as me atë që thekson Allahu e i Dërguari i Tij (s), si dhe të gjithë sahabët.
Prapëseprapë, as përparësia e pezullt nuk pajtohet në fakt me kuptimin e përgjithshëm të këtij hadīthi, sepse ajo sigurisht nuk kërkon që ‘Alīu të mos ketë qenë mawla-i i tre kalīfëve, e as mawla-i i kujtdo që vdiq si bashkëkohës i cilitdo prej tyre. Kjo është mu e kundërta e përfundimit të sjellë nga Profeti (s), që pyeti: “A nuk kam më tepër autoritet mbi besimtarët sesa vetë ata?” dhe njerëzit iu përgjigjën duke pohuar; atëherë ai tha: “Kujtdo që i kam qenë mawla (d.m.th. kujdestar i çdonjërit individ musliman, pa kurrfarë përjashtimi), ‘Alīu i është mawla.”
Pra, siç e shihni, askush nuk bën përjashtim në këtë pohim; ‘Alīu është padyshim mawla-i pa asnjë diskutim. Si Ebū Bekri edhe ‘Umeri, kur dëgjuan fjalët e Profetit, Ditën e Gadīrit, i thanë ‘Alīut: “Ti, o Ibn Ebī Tālib, u bëre mawla-i i çdo besimtari e besimtareje”, (Këtë e citon Dār Kutnīu, siç tregohet pranë mbylljes së Pj. 5, Kr. I, i es-Sawā‘ik ul-Muhrike nga Ibn Haxheri; prandaj, drejtojuni faqes 26. Ai po ashtu përcillet nga shumë muhadīthë, çdonjëri me burimin e tij dhe në librin e vet të traditave. Ahmedi ka cituar diçka të ngjashme nga ‘Umeri prej hadītheve të el-Berā’ ibn ‘Āzibit në f. 281, vëll. I, i Musned-it, që ne e cituam në Letrën 54.) duke pranuar kështu se ai qe bërë kujdestari i çdo besimtari dhe besimtareje, duke e përgjithësuar zbatimin mbi të gjithë besimtarët dhe besimtaret, me të perënduar dielli në Ditën e Gadīrit.
Njëherë ‘Umerin e pyetën:
“Sjellja jote ndaj ‘Alīut është krejt e veçantë nga ajo ndaj cilitdo shoku tjetër të Profetit (s).”
‘Umeri u përgjigj: “Pse jo, ai është mawla-i im” siç citon Dār Kutnīu në f. 36 të es-Sawā‘ik ul-Muhrike.
Ai kështu pranoi se ‘Alīu ishte kujdestari i tij dhe ai s’ishte zgjedhur ende khalīf dhe nuk kishte marrë betim prej kujt. Shihni se si pohimi i tij vërtetonte se ‘Alīu ishte mawla-i i tij dhe i çdo besimtari e besimtareje pikërisht atëherë, jo në të ardhmen, pasi i Dërguari i Allahut (s) e kishte shpallur të njëjtën, në emër të Allahut, Ditën e Gadīrit. ‘Umeri i kërkoi njëherë ‘Alīut të gjykonte në një çështje të paraqitur para tij nga dy beduinë. Njëri prej tyre pyeti: “A ky do na gjykojë?” ‘Umeri menjëherë shpërtheu në tërbim, e kapi atë për qafe, e i tha: “I mjeri ti! A e di se kush është ky burrë? Ai është mawla-i yt, i imi, dhe i tërë besimtarëve; kushdo që e refuzon atë si mawla, me siguri nuk është musliman”, siç pohohet afër mbylljes së Kreut XI në es-Sawā‘ik ulMuhrike të Ibn Haxherit. Ata që e kanë regjistruar këtë incident janë të shumtë.
Ju, Allahu e mbështestë të vërtetën përmes jush, jeni i ndërgjegjshëm për faktin se, sikur filosofia e Ibn Haxherit dhe mbështetësve të tij lidhur me hadīthin e Gadīrit të ishte pranuar, atëherë do të ishte vërtetuar se i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të dhe familjen e tij, luante me misionin dhe përgjegjësinë e tij - kërkojmë strehim te Allahu kundër këtij mendimi; se përçartej në fjalët dhe veprat e tija - Allahu qëndron përmbi të lejuarit e të Dërguarit të Tij (s) t’i bëjë këto, pa patur, sipas një filosofie të tillë, kurrfarë qëllimi në atë rast mahnitës përveç lajmërimit që, pasi ‘Alīu të zgjidhej khalīf, ai do të kishte qenë më i denji për të, dhe se, vazhdon teoria, askush nuk duhet ta monopolizonte atë, sepse ‘Alīu, tërë sahabët e tjerë dhe muslimanët në përgjithësi, janë të barabartë në këtë aspekt. Çfarë cilësie kërkonte t’i dhuronte aty e atëherë Profeti (s) ‘Alīut, dhe vetëm ‘Alīut, nga tërë të tjerët të cilët njihen mirë për historinë e tyre në shërbim të Islamit, nëse një filosofi e tillë, o ju muslimanë, vërtetohet si e saktë?
Sa i përket pretendimit të tyre që sikur përparësia e ‘Alīu për Imametin të mos ishte ardhmërore, ai do të ishte bërë Imami i atëhershëm megjithë praninë e të Dërguarit të Allahut, paqe pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, ne themi se një pretendim i tillë është vërtet mjaft i çuditshëm; është t’i hedhësh pluhur së vërtetës, një keqparaqitje e pashoq që shpërfill të gjitha betimet e profetëve, khalīfëve, mbretërve dhe princave dhënë zëvendësve të tyre. Ai kalon pa vënë re kuptimin e hadīthit: “Ti je për mua si Harūni për Mūsain vetëm se nuk do të ketë profet pas meje.” Ajo është një përpjekje për të harruar pohimin e tij (s) në hadīthin e farefisit kur i paralajmëroi duke u thënë: “Prandaj, dëgjojeni dhe bindjuni atij”, si dhe teksteve të tjera të panumërta në këtë kuptim. Edhe po të pandehim se falë pranisë së të Dërguarit të Allahut (s) përparësia e ‘Alīut nuk mund të implementohej menjëherë, atëherë patjetër ajo duhej të bëhej efektive pas vdekjes së tij, duke ndjekur rregullin e pranuar njëzëri të interpretimit të një pohimi, e vërteta e plotë e të cilit është e paarritshme, me anë të kuptimit të tij më të afërt. Sa i përket nderit të të parëve të mirë, ai ruhet pa e detyruar një interpretim të tillë, siç do ta shpjegojmë nëse lind nevoja. Wesselam.
Sinqerisht,
Sh