LETRA 57
25 Muharrem 1330
I Të Interpretuarit e Hadīthit të Gadīrit,
II Lidhja.
1) Të besuarit në drejtshmërinë e sahābëve kërkon interpretimin e hadīthit të Gadīrit, qoftë ai mutewātir apo jo. Për këtë arsye, sunnitë kanë gjykuar se ‘mawla’ mbart kuptime të ndryshme të cilat janë përdorur të gjitha në Kur’anin Fisnik. Ai mund të ketë kuptimin e ‘i merituari’, siç thotë Allahu kur u drejtohet të pafeve:
{Vendi juaj është zjarri; ai është mawla-i juaj} (57:15) me kuptimin “ju meritoni dënimin e Zjarrit.” Një tjetër kuptim është ‘ndihmësi’, siç thotë Allahu, i Madhëruar qoftë Emri i Tij: {sepse Allahu është mawla-i i atyre që besojnë dhe të pafetë s’kanë mawla} (47:11).
Ai po ashtu d.t.th. ‘trashëgimtari’, si në fjalën e Fuqiplotit: {Ne i kemi caktuar secilit mawalī nga trashëgimia e prindërve dhe e të afërmve} (4:33), duke nënkuptuar trashëguesit. Ai po ashtu do të thotë ‘të afërmit’, siç kuptohet qartë nga ajeti i të Mirësishmit Fuqiplotë: {Kam frikë për mawalī-të pas meje} (19:5), me kuptimin të afërmit. Ai po ashtu do të thotë ‘mik’, siç tregon ajeti: {Atë Ditë, asnjë mawla s’do të mundë ta shpëtojë mawla-in e tij} (44:41).
‘Wali’ po ashtu tregon personin më të kualifikuar për t’u marrë me çështjet e dikujt, si atëherë kur themi: “Zr. filani është wali-u i të miturit.” Ai po ashtu do të thotë ‘mbështetësi’ e ‘i dashuri’. Disa kanë thënë: “Kuptimi i hadīthit mund të jetë ‘këdo që kam mbështetur, miqësuar ose dashur unë’ sepse ‘Alīu ishte i atillë dhe ky kuptim pajtohet me prestigjin që gëzojnë të parët e mirë si dhe me imametin e tre khalīfëve të udhëzuar, Allahu qoftë i kënaqur me ta.
2) Është gjithashtu e mundur që disa njerëz e mbajtën këtë hadīth t’i referohej ‘Alīut thjesht pse njëri nga shokët e ‘Alīut në Jemen e pa qëndrimin e tij të pakompromis në zbatimin e urdhrave të Allahut, prandaj e përfoli atë. Për këtë arsye, Profetit nuk i pëlqeu qëndrimi i tyre dhe u ngrit Ditën e Gadīrit,1 lavdëroi Imamin dhe lëvdoi ndihmesat e tija, duke tërhequr vëmendjen mbi prestigjin e tij dhe duke ia mbrojtur emrin ndaj atyre që deshën t’ia përtypnin. Preteksti i përdorur nga ky grup është se në hytben e tij, Profeti (s) lavdëroi ‘Alīun në veçanti, duke thënë: “Kujtdo që i kam qenë wali, ‘Alīu i është wali” dhe Ehl ul-Bejtin e vet në përgjithësi, me fjalët:
“Po lë me ju Dy Gjëra me Peshë: Librin e Allahut dhe Pasardhjen time, Ehl ul-Bejtin tim”;
pra, ai thjesht e rekomandoi që ata duhet ta nderojnë ‘Alīun në veçanti dhe Ehl ulBejtin në përgjithësi. Ata thonë se një pohim i tillë as s’e ngarkon ‘Alīun me khilāfet e as nuk nënkupton imamet për të. Wesselam.
Sinqerisht,
S
LETRA 58
27 Muharrem 1330
I Hadīthi i Gadīrit Nuk Mund të Interpretohet, II Preteksti për Interpretimin e tij Është Spekulativ dhe Çorientues.
1) Se ç’kam një ndjenjë se zemra juaj nuk është e bindur me atë që pohuat, dhe shpirti juaj nuk është i kënaqur! Ju e nderoni thellë të Dërguarin e Allahut (s) dhe e respektoni urtinë e tij të pastër, pagabueshmërinë dhe profetësinë e tij përmbyllëse, duke besuar që ai është kreu i të mençurve dhe vula e profetëve: {Ai nuk flet nga vetja; ajo s’është tjetër veçse shpallje që i zbret; atë e mëson një Fuqi e lartë} (53:3-5).
Ta zëmë se një filosof i një besimi tjetër ju pyet për Ditën e Gadīrit, duke ju thënë: “Përse i ndaloi ai (s) tërë ato mijëra sahabë nga të vazhduarit, duke i mbajtur në të nxehtit e mesditës në atë fushë të pjekur nga dielli?
Përse ngulmoi ai të thirreshin ata që kishin ecur para, dhe të priteshin ata që kishin mbetur pas? Përse fushoi me ta në një vend aq të shkretë, ku s’kishte as ujë as bimë? Më pas, përse u predikoi ai atyre për Allahun t.a në atë vend dhe i urdhëroi të pranishmit që pasi të shpërndaheshin t’ua përcillnin atë që kishin dëgjuar atyre që s’e kishin.
Dhe, përse filloi ai me një fjalim vetëlavdërues, duke u thënë:
‘Mesa duket i dërguari i Zotit tim do vijë të më thërrasë dhe do t’i përgjigjem thirrjes; unë kam përgjegjësinë time, si edhe ju’, dhe çfarë mesazhi ishte urdhëruar të kumtonte Profeti që ummeti u urdhërua t’i bindej? Përse i pyeti ai ata: ‘A nuk besoni se s’ka zot përveç Allahut dhe Muhammedi është Robi e i Dërguari i Tij, se parajsa e Tij është hak dhe zjarri i Tij është hak, se vdekja është hak dhe jeta pas vdekjes është hak, se Vakti do të vijë patjetër, se Allahu do t’i ringjallë tërë ata që shtrihen në varre’ e ata pohuan?
Përse e mori ai menjëherë dorën e ‘Alīut, e ngriti lart gjersa iu dukën qimet e bardha të sqetullës, dhe tha:
‘O njerëz! Allahu është mawla-i im dhe unë jam mawla-i i besimtarëve’.
Përse atëherë e shpjegoi ai pohimin ‘Unë jam mawla-i i besimtarëve’ duke i pyetur ata:
“A s’kam unë më tepër autoritet mbi jetët tuaja se ju vetë?’ Atëherë, përse tha ai, pas një shpjegimi të tillë, se: ‘Kushdo që më ka pranuar si mawla-in e tij, ky është mawla-i i tij;
O Zot! Bëhu miku i kujtdo që e miqëson atë dhe armiku i kujtdo që i kundërvihet atij; mbështete këdo që e mbështet atë e braktise këdo që e braktis atë’.
Përse e zgjodhi ai pikërisht atë dhe u lut për të në një mënyrë që është e denjë për Imamët e drejtë dhe khalīfët besnikë?
Përse u kërkoi ai atyre të dëshmonin duke i pyetur:
‘A nuk kam më tëpër autoritet mbi ju sesa ju vetë?’ e kur iu përgjigjën me pohim, ai tha: ‘Kujtdo që i kam qenë mawla, ‘Alīu i është mawla’, apo ‘Për këdo që kam qenë wali, ‘Alīu është wali’ dhe përse e lidhi ai Kur’anin me pasardhësit e tij, duke i bërë ata shembujt që duhen ndjekur nga të urtit deri në Ditën e Gjykimit?
Përse kaq shumë preokupim nga një Profet aq i urtë?
Ç’ishte ai mision që kërkonte tërë këto prezantime dhe cili qe objektivi i aspiruar nga një ngritje kaq e paharrueshme?
Cili qe mesazhi që Allahu Fuqiplotë i urdhëroi të shpallte kur tha:
{O i Dërguar! Shpalle atë që të zbriti nga Zoti yt; e nëse nuk e bën, atëherë nuk do ta kesh shpallur (aspak) mesazhin e Tij. Allahu do të të mbrojë nga njerëzit} (5:67);
dhe ç’mision kërkonte kaq shumë theksim nga Allahu, i Cili urdhëroi, me një ton fare pranë kërcënimit, që ai të kumtohej?
Cila ishte çështja lidhur me të cilën Profeti (s) i druhej fitnes po të mos përcillej prej tij, shpallja e të cilës kërkonte një mbrojtje të thellë nga Allahu ndaj kërcënimit të hipokritëve...?”
Po ju pyes, në emër të gjyshit tuaj, sikur t’jua drejtonin tërë këto pyetje, a do përgjigjeshit duke thënë se Allahu, i Gjithdijshmi e Fuqiploti, thjesht donte t’u shpjegonte muslimanëve se si ‘Alīu i kish mbështetur ata dhe sa mik kishte qenë ndaj tyre?
Unë nuk besoj se ju do të jepnit një përgjigje të tillë e nuk mendoj se do t’i interpretonit fjalët e Allahut, apo ato të kreut të të urtëve, vulës së të dërguarve dhe të profetëve, si të tilla. Ju qëndroni përmbi të menduarit se ai (s) do të harxhonte mjetet dhe burimet e tija për të shpjeguar diçka tepër të qartë nga arsyeja e logjika, për të synuar një shpjegim të tillë.
S’ka dyshim se ju i shihni fjalët dhe veprat e Profetit (s) në një dritë më të mirë, të cilën nuk e përqesh i maturi dhe as nuk e kritikon filosofi a i urti. Ju pa dyshim e çmoni vlerën e pohimeve të tija e ia dedikoni urtisë dhe pagabueshmërisë. Allahu t.a ka thënë:
"Është fjala e një të Dërguari fisnik, të fuqizuar nga Zoti i Arshit, i respektuar, i aftë dhe besnik; me siguri shoku juaj nuk është i lojtur." (81:19- 22).
Ju jeni larg të akuzuarit se ai qartëson atë që është e qartë që më parë, ose shpjegon atë që dihet mirë apo bën prezantime që s’kanë as efekt as lidhje me këtë. Allahu dhe i Dërguari i Tij (s) qëndrojnë përmbi këtë. Ju, Allahu e mbështestë të vërtetën përmes vetes suaj, e dini se ajo që u shkon përshtat këtyre masave të ndërmarra në të nxehtit e mesditës të atij vendi - që janë plotësuese të veprimeve e pohimeve të tij në Ditën e Gadīrit - s’është asgjë më pak se përcjellja e Mesazhit hyjnor dhe caktimi i zëvendësit të tij (s).
Prova logjike dhe shpjegime racionale vërtetojnë në mënyrë të paekuivoke se ajo që ai synoi të bënte atë ditë s’ishte tjetër veçse caktimi i ‘Alīut si mëkëmbës dhe zëvendës i tij. Ky hadīth, i mbështetur nga provat, është një tekst eksplicit mbi khilāfetin e ‘Alīut, që madje nuk kërkon as interpretim, dhe nuk ekziston mënyrë tjetër për ta kuptuar. Kjo është krejt e qartë për cilindo që është {me mendje të shëndoshë, i vëmendshëm dhe dëshmues} (50:37)
2) Sa për pretekstin e pretenduar nga ata, ai s’është tjetër veçse spekulim dhe shtrembërim. Është sofistria e ngatërrimit dhe e zbukurimit. Profeti (s) e nisi ‘Alīun dy herë në Jemen, së pari më 8 H. Pikërisht atëherë përhapën fjalë shpifësit ndaj tij dhe disa iu ankuan Profetit (s), kur u kthyen në Medine. Pikërisht atëherë ua qortoi ai ankesat,1 dhe ata panë hijen e zemërimit në fytyrën e tij; e prapë, ata s’reshtën së përpjekuri. Hera e dytë ndodhi më 10 H.
Atëherë Profeti lidhi nyjen në flamurin e ‘Alīut, ia fiksoi kokoren me duart e tij, e tha: “Përpara dhe mos u shpërqendro”; me ç’rast ‘Alīu vazhdoi drejt synimit të tij si udhëheqësi i tyre i udhëzuar nga Zoti gjersa e kreu përgjegjësinë që i qe ngarkuar nga i Dërguari i Allahut. Pastaj, ai mori pjesë në Haxhin e Lamtumirës së Profetit. Pikërisht atëherë Profeti e mirëpriti shumë ngrohtë e madje ndau ushqimin me të.
Në atë çast, asnjë shpifës s’guxoi të hapte gojë, e asnjë i padrejtë nuk e akuzoi me ndonjë gjë; prandaj, si mund të nevojitet ky hadīth nga objeksionet e palës kundërshtuese?
Apo si mund të jetë ai vetëm përgjigje ndaj akuzave, siç pretendojnë disa?
Prapëseprapë, thjesht kundërvënia ndaj ‘Alīut nuk mjafton që Profeti të grumbullojë një pirg me lëvdata për të, siç bëri ai nga minberi i formuar prej samareve të deveve Ditën e Gadīrit, veç nëse, estaghfīru-Llāh, ai rrezikon veprat dhe fjalët, përgjegjësitë dhe misionin e vet, vetëm për të kënaqur ‘Alīun.
Urtia e tij hyjnore qëndron lart kësaj, sepse Allahu, i Madhëruar qoftë Emri i Tij, thotë:
{Është fjalë e të Dërguarit të ndershëm, jo e ndonjë poeti: sa pak besoni; nuk është as fjalë e ndonjë fallxhori: sa pak kujtoheni; ajo është shpallje nga Zoti i botëve} (69:40-3).
Po të kish dashur ai që thjesht të tregonte kontributet e ‘Alīut e të qortonte ata që kishin mëri ndaj tij, ai thjesht do kishte thënë:
“Ky është kushëriri im, djali i xhaxhait tim, babai i pasardhësve të mi, kryetari i familjes sime; ndaj mos e lëndoni”, apo diçka të ngjashme për të treguar pranimin e thjeshtë të statusit e dinjitetit të tij. Por mënyra si është formuluar ky hadīth nuk krijon përshtypje tjetër veç asaj që sugjeruam. Ajo tregon prova racionale e deduktive. Cilado qoftë arsyeja, ato pohime mbartin më së sigurti kuptime eksplicite që nuk kërkojnë hetim të shkaqeve të tyre.
Sa i përket të referuarit e tij Ehl ulBejtit në hadīth ul-Gadīr, kjo vetëm mbështet atë kuptim që sugjeruam, pasi ai (s) i lidhi ata me Librin Famëlartë të Allahut, duke i bërë shembuj për njerëzit e urtë, me fjalët:
“Po lë me ju këto, që për sa kohë t’iu përmbaheni, s’do ju lënë kurrë të shmangeni: Librin e Allahut dhe pasardhjen time, Ehl ul-Bejtin tim.”
Ai nuk e bëri këtë veçse që ummeti i tij të kuptonte se nuk kishte kujt t’i referohej dhe te kush të mbështetej pas Profetit, përveç atyre dyve. Ju mjafton si dëshmi për Imamët nga ‘Itra e pastruar e Profetit fakti se ata janë të ngjitur me Librin e Allahut të cilit e pavërteta s’mund t’i vijë as nga para as nga pas. Mu ashtu siç nuk mund t’i referohet cilitdo libri që dallon në gjykim nga Libri i Allahut, të Madhëruarit, të Lartësuarit, nuk mundet as t’i referohet një Imami që me gjykimin e tij i bie ndesh Imamëve nga pasardhësit e pastruar (‘a).
Merrni parasysh pohimin e tij, paqe pastë mbi të e pasardhjen e tij: “Ata nuk do të ndahen kurrë gjersa të më takojnë te Burimi.” Ai është provë se toka nuk do të jetë kurrë pa një Imam nga fara e tij i cili është i njëvlershëm me Librin. Kushdo që e heton këtë hadīth do ta shohë atë ta kufizojë khilāfetin te Imamët e ‘Itre-s së pastruar të Profetit (s). Këtë e mbështet hadīthi i përcjellë nga Zejd ibn Thābiti, cituar nga Ahmedi në Musned, në fillim të f. 122, vëll. V.
Ai pohon se i Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “Po lë me ju dy khalīfe: Librin e Allahut, si një litar nga qielli në tokë, dhe Ehl ul-Bejtin tim, sepse ata s’do të ndahen kurrë nga njëri tjetri gjersa të më bashkangjiten te Burimi.”
Një pohim i tillë është padyshim tregues i caktimit të khilāfetit për Imamët nga pasardhja e pastruar, paqe pastë mbi ta. Ju e dini se teksti që urdhëron ndjekjen e pasardhësve të Profetit nënkupton ndjekjen e prijësisë së ‘Alīut, pasi ‘Alīu është kryetari i padiskutueshëm pas Profetit dhe Imami i bindur i familjes së tij. Nga njëra anë, hadīthi i Gadīrit e të tjerët si ai implikojnë se ‘Alīu është Imami i familjes së Profetit statusi i së cilës, sipas Allahut dhe të Dërguarit të Tij, është i njëjtë me atë të Kur’anit Fisnik. Nga ana tjetër, ai krediton personalitetin e tij të lartë falë të cilit ai u bë wali-u i të gjithë atyre wali-u i të cilëve s’është tjetër veçse i Dërguari i Allahut (s), Wesselam.
Sinqerisht,
Sh