LETRA 55
19 Muharrem 1330
Përse të Përdoret si Agument nëse Nuk Përcillet mutewātir?
Shī‘itët përdorin parimin e tewātur-it kur diskutojnë imametin, për faktin se ata e konsiderojnë transmetimin mutewātir ndër parimet e besimit; përse e citoni ju atëherë hadīthin e Gadīrit në mbështetje të argumentit, edhe pse ai nuk raportohet mutewātir sipas sunnive, ndonëse vërtetësia e tij dëshmohet prej sahīh-ëve të tyre?
Sinqerisht,
S
LETRA 56
22 Muharrem 1330
I Ligjet Natyrore Diktojnë Transmetimin mutewātir të Hadīthit të Gadīrit,
II Mirësia e Fuqiplotit,
III Përkujdesja e të Dërguarit të Allahut (s),
IV Përkujdesja e Prijësit të Besimtarëve,
V Përkujdesja e Huseinit,
VI Përkujdesja e Nëntë Imamëve,
VII Përkujdesja e Shī‘itëve,
VIII Transmetimi i tij mutewātir nga Masat.
Për vërtetimin e përdorimit të tij si argument, mjafton ajo që kemi përmendur në Letrën 24.
1) Raportimi mutewātir i hadīthit të Gadīrit diktohet nga ligjet e natyrës, që Allahu ka krijuar. Shembulli i tij i ngjan çdo fakti të madh historik të ndërmarrë nga njeriu më i rëndësishëm i kombit, i cili shpall, në prani të mijëra bashkëkombësve, hedhjen e një hapi madhor, që ata t’ua përcjellin lajmin viseve e njerëzve të ndryshëm, sidomos kur një nismë e tillë gëzon interesimin e familjes dhe të mbështetësve të tij në tërë brezat vijues, në mënyrë që ai lajm të arrijë përhapjen më të gjerë. A mundet që një shpallje e tillë, aq domethënëse të transmetohet nga, të themi, vetëm një person? Me siguri jo. Lajmi i saj do të përhapej me shpejtësinë e rrezeve të mëngjesit, duke përqafuar fushat dhe detërat; "Dhe s’do të gjeni ndryshim në ligjin e Allahut." (33:62).
2) Hadīthi i Gadīrit ka fituar përkujdesjen e Allahut, të Butit dhe të Lartit, i Cili e frymëzoi të Dërguarin e Tij, bekime pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, duke e përfshirë atë në Kur’anin e Tij që recitohet nga muslimanët edhe orëve të vona të mbrëmjes a orëve të para të ditës, në publik e në vetmi, në lutje dhe në namaze, nga majat e minbereve dhe lartësitë e minareve, e që thotë:
"O i Dërguar! Përcille atë që të është shpallur nga Zoti yt dhe nëse nuk e bën, atëherë nuk do ta kesh përcjellë mesazhin e Tij aspak; Allahu do të të mbrojë nga njerëzit (e ligë)" (5:67).
(Ne as që e diskutojmë shpalljen e tij për wilājet-in e ‘Alīut në Ditën e Gadīr Khummit dhe rivājetet tona nga burimet e pasardhësve të pastruar janë mutewātir. Ju mjafton si referim për transmetimin e tij nga të tjerë përveç tyre, ajo që Imam Wāhidīu ka cituar në zbërthimin e tij të Sures el-Mā‘ide, në f. 150 të librit të tij Asbāb un-Nuzūl, nga dy burime të respektuara: Atijje dhe Ebū Sa‘īd elKhudrī. Ai thotë:
“Ky ajet u shpall në Ditën e Gadīr Khummit për ‘Alī ibn Ebī Tālibin.”
Po kjo tregohet nga Hāfiz Ebū Na‘īmi, që e komenton në librin e tij Nuzūl ul-Kur’ān duke u mbështetur në dy burime, njëri nga të cilët është Ebū Sa‘īdi e tjetri Ebū Rāfi’u. Atë e përcjell dhe Imam Ibrāhīm ibn Muhammed Hamawejnī el-Shāfi‘ī në librin el-Fewā’id nga burime që mbarojnë me Ebū Hureiren. Ai citohet nga Imam Ebū Is‘hāk Tha‘lebīu gjatë shpjegimit të kuptimit të këtij ajeti në Tefsīr ul-Kebīr, prej dy burimeve të respektuara. Ajo që e dëshmon se ai i referohet ‘Alīut, është fakti se namazi tashmë ishte vendosur, zekati ishte urdhëruar, agjërimi ishte ligjëruar, haxhi në shtëpinë e Allahut po kryhej, e lejuara ishte qartësuar dhe po kështu e ndaluara, Sherī‘ati ishte plotësuar dhe vendimet e tij ishin urdhëruar; atëherë, ç’gjë tjetër kërkoi të theksonte aq shumë Allahu përveç çështjes së khilāfetit, për të cilën Ai e paralajmëroi Profetin (s) në një mënyrë që i ngjante gati kërcënimit? E, lidhur me ç’gjë tjetër, nëse jo khilāfetin, mund të parandjente Profeti (s) fitne po të mos e përcillte atë, duke qenë diçka që kërkoi mbrojtjen e Zotit ndaj çdo dëmi që mund t’i vinte nga kryerja e tij?)
Kur ai, paqe pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, e përcolli mesazhin hyjnor të këtij ajeti, duke e caktuar ‘Alīun Imam dhe duke i besuar atij khilāfetin, Allahu Fuqiplotë shpalli vargun e mëposhtëm:
"Sot përsosa për ju fenë tuaj, i plotësova bekimet e Mia ndaj jush, dhe zgjodha fe për ju Islamin." (5:3).
(Sahīh-ët që e dokumentojnë rastin që kërkoi shpalljen e këtij ajeti janë mutewātir nga burimet e pasardhësve të pastruar (‘a). Ne nuk e dyshojmë atë që përcjellin pasardhësit e pastruar të Muhammedit (s), edhe kur Bukhārīu pretendon se ky varg u zbrit në ditën e ‘Arafātit, sepse anëtarët e shtëpisë së Profetit (s) e dinë më mirë se çfarë shpallet në shtëpinë e tyre.)
Urime pas urimesh, atëherë, për ‘Alīun; ky është bekim nga Allahu; Ai ia dhuron kujt do Ai vetë. Cilido që i vështron këto ajete do të impresionohet nga të tilla bekime hyjnore.
3) Nëse e tillë është përkujdesja Hyjnore, atëherë s’është për t’u çuditur që i Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të e pasardhjen e tij, e shprehu një përkujdesje të tillë kur iu afrua vdekja, u flijofsha për të. Atëherë, sipas urdhrit që mori nga Allahu, ai (s) vendosi ta kumtonte wilājetin e ‘Alīut gjatë haxhit të fundit, në praninë e tërë atyre dëshmitarëve, pa u mjaftuar me shpallje të tilla të mëparshme si paralajmërimi në Mekë, apo raste të tjera - me të cilat ju tashmë jeni familjarizuar. Ai pra, i ftoi besimtarët që të merrnin pjesë në haxhin e tij të fundit, të njohur si Haxhi i Lamtumirës. Njerëzit nga të katër anët iu përgjigjën ftesës së tij dhe jo më pak se njëqind mijë haxhilerë lanë Medinen me të.
(Sejjid Ahmed Zejnī Dehlānī, në një kaptinë mbi Haxhin e Lamtumirës në librin e tij Sīret un-Nebewijje, shkruan: “Nëntëdhjetë - disa thonë njëqind e njëzetekatër mijë vetë, e të tjerë më shumë - e shoqëruan atë, paqe pastë mbi të e pasardhjen e tij, nga Medina, dhe ky është vetëm një numër i përafërt i atyre që ishin me të”, gjer në fund të pohimit të tij nga i cili shihet se ata që u kthyen me të ishin më shumë se njëqind mijë dhe të gjithë ata e dëshmuan hadīthin e Gadīrit.)
Ditën e ‘Arafātit ai i lajmëroi të pranishmit se: “‘Alīu është prej meje e unë jam prej ‘Alīut dhe askush s’e kryen përgjegjësinë time përveç meje dhe ‘Alīut.”
(Ne e cituam këtë hadīth në Letrën 48, prandaj drejtojuni asaj, ku do ta gjeni të cituar shprehimisht me nr 15; e njëjta i referohet dhe e komenton atë në një mënyrë që meriton vëmendjen e studiuesve.)
Kur u kthye nga Haxhi i Lamtumirës dhe mbërriti në Gadīr Khumm, Xhibra’īli besnik i zbriti āje tablīgh, nga Zoti i botëve. Menjëherë pas kësaj, ai ndaloi, gjersa ata që kishin mbetur pas dhe ata që kishin ecur para, iu bashkangjitën. Kur u mblodhën, ai kreu faljen e mbajti një fjalim për Allahun, të Mirësishmin e të Gjithdijshmin, duke theksuar rëndësinë e wilājet-it të ‘Alīut. Ju dëgjuat një raport xixëllues të transmetuesve të tij dhe ajo që nuk keni dëgjuar është akoma më e saktë dhe e hapët; porse prapë ajo që dëgjuat duhet t’ju mjaftojë. Lajmi i saj u përhap në emër të Profetit të Allahut (s) nga tërë masa e pranishme në ato çaste, që llogaritet në mbi njëqind mijë haxhilerë nga vende të ndryshme.
Urdhri i Allahut, të Butit dhe të Lartit, i cili nuk pëson asnjë ndryshim në krijimin e Tij, e dikton raportimin mutewātir të këtij hadīthi megjithë tërë pengesat e transmetimit të tij. Megjithatë, Imamët e Ehl ul-Bejtit ndjekën metodat e tyre të urta të përhapjes dhe publikimit të tij.
4) Lidhur me këtë, ju sugjeroj të shqyrtoni hapin e ndërmarrë nga Prijësi i Besimtarëve, atëherë khalīf, në mbledhjen e njerëzve në sheshin e gjerë, në fushën e Rahbasë. Atëherë ai tha:
“I kërkoj, në Emër të Allahut, çdo muslimani që e dëgjoi atë që tha i Dërguari i Allahut në Ditën e Gadīrit, të ngrihet dhe të dëshmojë për çfarë ka dëgjuar. Askush s’duhet të ngrihet përveç atyre që e panë Profetin me sytë e tyre dhe e dëgjuan me veshët e tyre.”
Tridhjetë sahabë, dymbëdhjetë nga të cilët kishin marrë pjesë në Luftën e Bedrit, u ngritën dhe dëshmuan se Profeti e kapi ‘Alīun për dore dhe i pyeti ata:
“A e dini se kam më tepër autoritet mbi besimtarët sesa vetë besimtarët?” Ata pohuan. Atëherë ai (s) tha: “Kujtdo që unë i kam qenë mawla, ky (‘Alīu) i është mawla; O Zot! Bëhu mik i kujtdo që e miqëson atë, dhe bëhu armik i kujtdo që armiqësohet me të.”
Ju e dini se të akuzosh tridhjetë sahabë se janë gënjeshtarë bie poshtë nga logjika; prandaj arritja e raportimit mutewātir përmes dëshmisë së tyre është një provë e pakundërshtueshme dhe e pamohueshme. I njëjti hadīth është përcjellë prej këtyre tridhjetë sahabëve nga tërë turmat që ndodheshin në Rahba, të cilët e përhapën atë pasi u shpërndanë mbi tokë, duke i dhënë publicitet të pazakontë. Natyrisht, ngjarja e Rahbasë ndodhi gjatë khilāfetit të Prijësit të Besimtarëve, i cili e mori betimin më 35.
Ngjarja e Gadīrit ndodhi gjatë Haxhit të Lamtumirës, më 10 H. Periudha kohore që i ndan ato është njëzet e pesë vite, gjatë të cilave ndodhën shumë ngjarje si: murtaja shfarosëse, luftra, hapje frontesh të reja dhe pushtime nga tre kalīfët e parë. Kjo periudhë, sa një e katërta e një shekulli, thjesht nga zgjatja, luftrat e pushtimet, krahas murtajës shkretuese dhe shfarosëse, i kishte marrë jetën shumë prej atyre që e kishin dëshmuar ngjarjen e Gadīrit, veçanërisht të vjetërve nga sahabët si dhe të rinjve, që ishin të ethshëm të takonin Zotin e tyre duke bërë xhihad në rrugën e të Lartit, të Dijshmit dhe të Dërguarit të Tij (s), aq sa të vdekurit i kalonin të mbijetuarit.
Disa prej tyre u përhapën anembanë e shumë prej tyre s’qenë të pranishëm në Rahba, përveç atyre që e shoqëronin Prijësin e Besimtarëve në Irak - dhe këtu futeshin vetëm burrat. Megjithë tërë këtë, tridhjetë sahabë, dymbëdhjetë prej të cilëve ishin luftëtarë të Bedrit, e kishin dëgjuar hadīthin e Gadīrit nga vetë i Dërguari i Allahut (s).
Mund të ketë patur të tjerë që s’donin të dëshmonin, si Enes ibn Māliku (Ai i tha atij: “Përse nuk ngrihesh me sahabët e tjerë të të Dërguarit të Allahut të dëshmosh atë që dëgjove prej tij atëherë?” Ai u përgjigj: “O Prijës i Besimtarëve! Jam plakur dhe kam harruar.” ‘Alīu tha: “Nëse gënjen, Allahu të godittë me njolla të bardha që as turbani s’t’i fsheh dot!” Ende pa u nisur mirë, fytyra e tij u mbush me shenjat e leukodermës; ndaj ai thonte:
“Jam bërë objekt i mallkimit nga Robi i Drejtë i Allahut.”
Ky incident është mjaft i famshëm, një dëshmi e vërtetësisë së tij shihet kur Imam Ahmedi e citon në Musned, fundi i f. 119, vëll. I, ku shton: “Të gjithë, përveç tre personave, u ngritën të dëshmonin; dhe ata të tre pësuan efektin e mallkimit të tij.”
[Po ashtu: Ibn Kutejbe në el-Ma’arif, f. 580; el-Balādhūrī në Ansāb ulAshrāf, (jeta e ‘Alīut), ff. 156-7; Ibn Rustah në Alāk ul-Nafīseh, f. 221; Tha‘lebīu në Lataif ul-Ma‘rif, ff. 105-6; Raghīb elIsfahānī në Muhadaret ul-‘Udābe, vëll. III, f. 293; Ibn Ebī’l-Hadīdi në Sherh, vëll. IV, f. 74; Shejh ‘Ubejdullāh el-Hanefī në Arxhah ul-Metālib, ff. 578-80.]) dhe të tjerë, që morën ndëshkimin e merituar në vend, pas lutjeve të Prijësit të Besimtarëve drejtuar Allahut, që t’i dënojë ata që e fshehën të vërtetën duke e ditur atë. Po të kishte mundur ai t’i mblidhte të gjithë sahabët që ishin gjallë atëherë, burra e gra, e t’u drejtohej atyre ashtu siç bëri në Rahba, do të kishte dëshmuar shumëfishi i kësaj. Po sikur t’i kishte pyetur njerëzit e Hixhazit para se të kalonte një periudhë kaq e gjatë pas ngjarjes së Gadīrit? Thellohuni mbi këtë fakt e do ta gjeni provë shumë të fuqishme që dëshmon raportimin mutewātir të hadīthit të Gadīrit.
Librat e traditës duhet t’ju mjaftojnë në dokumentimin e tyre të hadīthit të Gadīrit. Merrni për shembull, atë që ka cituar Imam Ahmedi në f. 370, vëll. IV i Musned-it të tij nga Ebū’l-Tufejli, i cili tha: “‘Alīu i mblodhi njerëzit në Rahba, pastaj u tha atyre:
‘I kërkoj në Emër të Allahut, çdo muslimani që e dëgjoi atë që i Dërguari i Allahut (s) tha në Ditën e Gadīrit, ta japë dëshminë e tij.’ Tridhjetë vetë u ngritën në këmbë.”
Ebū Na‘īmi thotë:
“Shumë u ngritën e dëshmuan se si Profeti e kapi ‘Alīun për dore dhe i pyeti njerëzit: ‘A e dini se kam më tepër autoritet mbi besimtarët se vetë ata?’
Ata u përgjigjën: ‘Po, o i Dërguari i Allahut!’ Atëherë, ai (s) tha: ‘Kujtdo që i kam qenë mawla, ky ‘Alī i është mawla; O Zot! Bëhu mik i kujtdo që miqëson atë dhe armik i kujtdo që i bëhet armik’.”
Ebū’l-Tufejli vazhdon e thotë:
“E lashë vendin i shushatur (nga injoranca e njerëzve për këtë hadīth) dhe takova Zejd ibn Arkamin e i thashë: ‘E dëgjova ‘Alīun të thotë kështu e ashtu.’ Zejdi tha: ‘Atëherë mos e moho se e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) ta thotë këtë për ‘Alīun.”
Dëshmia e Zejdit cituar më lart dhe pohimi i ‘Alīut lidhur me të mund t’i shtohet dëshmisë së tridhjetë sahabëve, duke e çuar numrin e raportuesve të hadīthit në tridhjetë e dy sahabë. Imam Ahmedi e ka regjistruar hadīthin e ‘Alīut në f. 119, vëll. I në Musned të përcjellë nga ‘Abdur-Rahmān ibn Ebī Lejlā, që thotë:
“E pashë ‘Alīun në Rahba tek u kërkonte njerëzve të dëshmonin, duke theksuar se vetëm ata që e kishin parë dhe dëgjuar Profetin (s) duhet të ngriheshin e të dëshmonin.
Dymbëdhjetë luftëtarë të Betejës së Bedrit, të cilët më kujtohen si t’i kem para syve, u çuan.”
‘Abdur-Rahmāni e thotë këtë duke dëshmuar se ata të gjithë e kishin dëgjuar të Dërguarin e Allahut tek i pyeste njerëzit në Ditën e Gadīrit:
“A s’kam më tepër autoritet mbi besimtarët se ata mbi veten e tyre, dhe gratë e mia janë nënat e tyre?” Turma u përgjigj: “Vërtet po, o i Dërguar i Allahut (s)!” Pastaj, siç e citon ‘Abdur-Rahmāni, ai (s) tha: “Atëherë kushdo që më merr mua për mawla duhet ta marrë ‘Alīun për mawla; O Zot i Plotfuqishëm! Bëhu mik i kujtdo që miqëson atë dhe armik i kujtdo që ka armiqësi ndaj tij!”
Një tjetër raportim regjistrohet nga Imam Ahmedi po aty. Ai citon Profetin duke thënë:
“O Zot! Bëhu mik i kujtdo që e merr atë për wali-un e vet dhe bëhu armiku i kujtdo që i kundërvihet atij; mbështete këdo që e mbështet atë, dhe braktise këdo që e braktis atë.”
Rivājeti vazhdon duke pohuar se me përjashtim të tre vetëve, të gjithë të pranishmit u ngritën të dëshmonin. ‘Alīu iu lut Allahut t’i mallkonte ata që e fshehën të vërtetën, dhe lutja e tij u dëgjua. Po t’i shtoni dymbëdhjetë pjesëmarrësve në Bedr ‘Alīun dhe Zejd ibn Arkamin, atëherë numri i atyre që dëshmuan është natyrisht katërmbëdhjetë. Duke gjurmuar tregimin e ngjarjes së Rahbasë, del qartë urtia e ‘Alīut në përhapjen dhe shpalljen e hadīthit të Gadīrit.
5) Prijësi i Shehidëve, Ebū ‘Abdullāh el-Husein, paqe pastë mbi të, na ka lënë të trashëguar kujtimin e paharrueshëm të një ngritjeje që ai ndërmori gjatë sundimit të Mu’āvijes. Atëherë e vërteta u bë e qartë si drita. Ajo i ngjante ngritjes së ‘Alīut në Rahba. Gjatë kohës së haxhit, Huseini, i rrethuar nga lumenj njerëzish, lartësoi gjyshin, babain, nënën dhe vëllain e tij, duke mbajtur një fjalim elokuent të paparë në urti, që i pushtoi të pranishmit e ua fitoi atyre zemrat dhe mendjet. Ligjërimi i tij ishte gjithpërfshirës, me anë të tij ai rizgjoi masat, gjurmoi historinë e i dha ngjarjes së Gadīrit hakun e merituar. Ngritja e tij e madhe pra, dha rezultate të shkëlqyera dhe u bë po aq e famshme dhe e përhapur sa dhe ngjarja e Gadīrit.
6) Nëntë pasardhësit e tij, të gjithë Imamë të pafajshëm, përdorën metodat e tyre në shpalljen dhe përhapjen e këtij hadīthi. Metodat e tyre pasqyrojnë urtinë e tyre, e cila rroket nga të gjithë ata me shqisa të mprehta. Ata e përdorën datën e 18 Dhu’l-Hixhes si festë të veçantë vjetore për të uruar dhe përgëzuar njëri tjetrin, duke kërkuar me hare dhe përulje afrinë e Allahut, të Lartit, Fuqiplotit, përmes agjërimit, faljeve e du‘āve.
Ata i kalojnë kufijtë në veprat e mira dhe aktet e devotshmërisë, duke e falënderuar Allahun për bekimet që u dhuroi atë Ditë përmes tekstit që emëroi Emīr ulMu’minīnin dhe premtimin e Tij hyjnor që ai të ishte Imami. Ata e kanë zakon t’i vizitojnë të afërmit, t’u dhurojnë më bujarisht familjeve të tyre, t’i vizitojnë vëllezërit dhe t’i këshillojnë të tjerët të veprojnë po ashtu.
7) Për këtë arsye, 18 Dhu’l-Hixhe e çdo viti kremtohet si festë nga shī‘itët ngaherë e kudo.
(Duke treguar ngjarjet e rëndësishme që ndodhën më 352 H., Ibn Athīri thotë në f. 181, vëll. VIII i Tarīkh ul-Kāmil se: “Më 18 Dhu’l-Hixheh të atij viti, Mu’izz ed-Dawlai urdhëroi të vendoseshin zbukurime në Bagdād, të ndizeshin zjarre në rajonet e policisë, e të shpaloseshin të gjitha gazmendet; prandaj, pazari qëndroi hapur natën siç është zakon në netë bajramesh; ai i bëri tërë këto që të festohej ‘Īd ulGadīri. Lodrat ranë dhe boritë tingëlluan, ngase ajo ishte ditë shumë e shënuar.”)
Atë ditë ata vërshojnë nëpër xhami për të falur farze e nafile, recituar Kur’anin Famëlartë dhe lexuar du‘ātë më të famshme në shenjë falënderimi për Allahun e Lartë që i përsosi bekimet e Tij mbi ta duke e emëruar Emīr ul-Mu’minīnin Imam. Pastaj ata shkëmbejnë vizita dhe i urojnë hareshëm gjithë të mirat njëri tjetrit, duke kërkuar afrinë e Allahut me mirësi e devotshmëri, dhe duke i kënaqur familjet e fqinjët e tyre. Atë ditë, ata vizitojnë kaburin e Prijësit të Besimtarëve, ku jo më pak se njëqind mijë vizitorë vijnë nga të katër anët. Atje, ata e adhurojnë Allahun ashtu siç e adhuronin Imamët e tyre të pastruar: me agjërim, falje, dhe përmendje të Tij.
Ata kërkojnë afrinë e Allahut me akte devotshmërie e dhënie sadakaje. Ata nuk shpërndahen përpara se t’i drejtohen faltores së shenjtë me një adresim tepër të këshilluar, të autorizuar nga disa Imamë. Ai përfshin dëshmimin mbi ngritjen e lavdishme të Prijësit të Besimtarëve, nderimin e heroizmave dhe përpjekjeve të tij për vendosjen e parimeve të besimit, shërbimin e tij ndaj kreut të profetëve e të dërguarve dhe virtyteve e meritave të tija, mes të cilave është nderimi që iu bë nga Profeti (s) Ditën e Gadīrit. Kjo është tradita e shī‘itëve çdo vit. Gojëtarët e tyre i janë referuar hadīthit të Gadīrit, duke ia cituar burimet e madje pa iu referuar atyre dhe poetët e tyre e kanë zakon të thurin poema në kujtim të tij, kohëve të shkuara si dhe sot;
(El-Kumeit ibn Zejdi ka thënë:
Ditën e dawh-it, dawh-it tek Gadīri, Khilāfeti iu shpalos qartë dhe më së miri: Vetëm sikur turma të kish zgjedhur të bindej Një ditë si ajo s’kam parë kurrë të lindej...
Ebū Temmāmi, në një kryevepër poetike të përfshirë në divanin e tij, thotë:
Ditën e Gadirit e vërteta doli qartë, ndriçuese Pa perde, pa hekura ish’ ajo, kundërmuese; I Dërguari i Allahut (s) u ngrit atje t’i ftonte Tek e mira dhe e drejta të gjithë t’i afronte, Me dorën lart, wali-u dhe mawla-i juaj u prezantua Por shih tani ç’na gjeti ty edhe mua! Me aq gojtari ua sjell njerëzve lajmin shkoqur Por, ja - ata vijnë dhe ikin të pakënaqur. Po ai bëri të shndrisë e vërteta kaq qartë, E ata rrëmbyen edhe të drejtën tonë, o i ngratë. Ju e bëtë atë tehun e mprehtë të shpatës tuaj: Dhe varrin e atij që të vërtetën deshi të ruajë... )
ndaj, s’ka se si të hidhet dyshim mbi të qenit e tij mutewātir prej burimeve të Ehl ul-Bejtit dhe shī‘itëve të tyre. Dëshira e tyre për ta memorizuar, përpjekjet e tyre për t’ia ruajtur tekstin burimor dhe mbrojtur vërtetësinë, për ta shpallur e përhapur atë.., kanë sjellë arritjen e objektivave të tyre aq të aspiruara. Drejtojuni musned-eve të rëndësishme të shī‘itëve e burimeve të tjera shī‘ite që përmbajnë tradita të mirëdokumentuara e të bazuara dhe do të shihni që secili i bën jehonë të njëjtit kuptim, duke e mbështetur njëri tjetrin. Kushdo që njihet me këto tradita do shohë se ky hadīth është mutewātir nga burimet e tyre të çmuara.
8) Nuk ka asnjë dyshim për raportimin e tij mutewātir nga burimet sunnite, sipas ligjeve natyrore, siç e patë;
"S’ka ndryshim të krijimit të Allahut; ky është besimi i drejtë, por shumica e tyre nuk dinë." (30:30). Autori i el-Fetāwa el-Hamīdijje, megjithë kryeneçësinë e tij, e pranon raportimin mutewātir të këtij hadīthi në trajtesën e tij të shkurtuar el-Salawāt ul-Fākhire fī’l Ahadīth el-Mutewātire. Sujūtīu dhe dijetarë të tjerë të tefsīr-it e pranojnë të gjithë të njëjtën.
Drejtojuni Muhammed ibn Xherīr Taberīut, autor i veprave të shquara Tefsīr e Tarīkh. Ahmed ibn Muhammed ibn Sa‘īd ibn Akdai, Muhammed ibn Ahmed ibn ‘Uthmān Dhehebīu kanë shkruar të gjithë kritika të burimeve të këtij hadīthi. Secili prej tyre ka shkruar një libër të tërë mbi këtë temë. Ibn Xherīri jep në librin e tij njëqind e pesë burime vetëm për këtë hadīth.
(Autori i Gājet ul-Merām thotë pranë mbylljes së Kreut XVI, f. 89 e librit të tij: “Ibn Xherīri e ka cituar hadīthin e Gadīrit nga nëntëdhjetë e pesë burime në një libër që ai ia kushtoi kësaj teme, duke e titulluar el-Wilājeh, dhe Ibn ‘Ukde e ka cituar atë nga njëqind e pesë burime të radhitura në një libër që edhe ai ia kushtoi kësaj çështjeje. Imam Ahmed ibn Muhammed ibn el-Siddīk el-Magāribīu ka pohuar se si Dhehebīu dhe Ibn ‘Ukbe i kanë kushtuar një libër të posaçëm vetëm këtij hadīthi”; prandaj, drejtojuni hytbes në librin e tij të vlefshëm Fet’h ul-Māliku’l-‘Alī Bisihhati Bābi’l-‘Ilm ‘Alī.)
Dhehebīu, megjithë fanatizmin e tij, ia ka dëshmuar vërtetësinë shumë burimeve të tij. Në kreun 16 të Gājet ul-Merām, tetëdhjetë hadīthe të përcjella nga sunnitë ia dëshmojnë vërtetësinë hadīthit të Gadīrit. Prapë, ai nuk ka cituar Tirmidhīun, Nesā‘īun, Taberānīun, Bezzārin, Ebū Ja‘līun, e shumë raportues të tjerë që e përcjellin këtë hadīth. Sujūtīu e citon nga Tirmidhīu, kur shtjellon ‘Alīun në librin Tarīkh ul-Khulefā’, duke shtuar:
“Ky hadīth regjistrohet edhe nga Ahmedi prej ‘Alīut, Ejjūb Ensārīut, Zejd ibn Arkamit, ‘Umerit dhe Dhu Murrit. Ebū Ja‘līu e citon atë nga Ebū Hureira, Taberānīu nga Ibn ‘Umeri e Ibn ‘Abbāsi, të përcjellë nga Mālik ibn elHuwejrithi, Habeshī ibn Xhenādai, Xherīri, Sa‘d ibn Ebī Wekkāsi, Ebū Sa‘īd el-Khudrīu dhe Enesi; el-Bezāri e ka regjistruar siç e përcjell Ibn ‘Abbāsi, ‘Ammārai dhe Burejde.”
Një provë e famës së këtij hadīthi shihet nga fakti se Imam Ahmedi e regjistron në Musned nga Rijā ibn ul-Hārithi, të përcjellë nga dy burime. Ai pohon se një grup burrash erdhën njëherë tek ‘Alīu e thanë:
“Esselāmu Aleikum, mewlana.” Imami i pyeti se kush ishin e ata iu përgjigjën se ishin të nënshtruarit e tij. Imami atëherë i pyeti: “Si mund të jem mawla-i i juaj kur ju jeni beduinë?” Ata iu përgjigjën: “E kemi dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) duke thënë në Ditën e Gadīrit: “Kujtdo që i kam qenë mawla, ‘Alīu i është mawla’.”
Rijāi thotë se kur ikën, ai i ndoqi dhe i pyeti se kush ishin, e ata i thanë: “Ne jemi një grup ensārësh shokë të Ebū Ejjūb el-Ensārīut.”
Një tjetër provë e famës së tij është ajo që ka regjistruar Imam Ebū Is‘hāk Tha‘lebīu në komentin e Sures Me‘ārixh në Tefsīr ul-Kebīr, mbështetur në dy burime tepër të respektuara:
“Ditën e Gadīrit, i Dërguari i Allahut (s) i urdhëroi njerëzit të mblidheshin, pastaj kapi dorën e ‘Alīut dhe tha: ‘Kushdo që më pranon mua si mawla, ‘Alīu është mawlai i tij.’ Lajmi i shpalljes së tij u përhap në tërë viset dhe Hārith ibn Nu‘mān el-Fehrī e dëgjoi atë hadīth. Duke ngarë devenë e tij, ai erdhi të takonte të Dërguarin e Allahut (s).
Pasi zbriti, ai tha: ‘O Muhammed! Ti na urdhërove të dëshmojmë se nuk ka hyjni përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Tij e ne u bindëm; pastaj na urdhërove të falemi pesë herë në ditë dhe ne pranuam; pastaj na urdhërove të japim zekatin e u pajtuam; pastaj na urdhërove të agjërojmë muajin e Ramazanit dhe pranuam; pastaj na urdhërove të kryejmë haxhin e ne t’u bindëm; atëherë, thua se tërë kjo nuk mjaftonte, ti e favorizove kushëririn tënd mbi ne të gjithë e the: ‘Kushdo që më pranon mua si mawla-in e vet, ‘Alīu është mawla-i i tij’; a është ky ndonjë urdhër nga ti, apo nga Allahu?”
Ai, bekime pastë mbi të e parardhjen e tij, u përgjigj: ‘Betohem në Zotin Një dhe të Vetëm se ky është urdhri i Allahut, të Lartësuarit e të Gjithëdijshmit’, kur Hārithi filloi të ecë drejt kafshës së tij duke murmëritur me vete:
‘O Zot! Nëse ajo që thotë Muhammedi është e vërtetë, atëherë le të bien gurë nga qielli ose le të zbresë një stuhi e tmerrshme mbi ne.’ Ai akoma s’e kishte mbërritur kafshën e tij kur Allahu bëri që një gur t’ia çajë kokën, t’i depërtojë trupin e t’i dalë nga pas, duke e lënë atë të vdekur në vënd.
Pikërisht lidhur me këtë ngjarje, Allahu i Lartë shpalli ajetet:
"Një person të pyeti për dënimim e sigurtë mbi jobesimtarët, dënim që s’mund të shmanget: nga Allahu, Zoti i Shkallëve të Ngjitjes." (70:1-2).
(Këtë e citon Tha‘lebīu nga një grup dinjitarësh sunni sikurse dijetari elShiblenxhī el-Shāfi‘ī i Egjiptit në jetëshkrimin e ‘Alīut në librin e tij Nūr ulAbsār; prandaj, ju mund t’i drejtoheni faqes njëmbëdhjetë, nëse dëshironi.)
Kështu përfundon hadīthi i cituar shprehimisht. (Drejtojuni asaj që ka cituar Halebīu nga hadīthet e transmetuara mbi Haxhin e Lamtumirës në biografinë e tij të njohur të Profetit (s) Sīre Halebijje, dhe do ta gjeni këtë hadīth në fund të faqes 214 të vëllimit të tretë.)
Vërtetësia e tij pranohet nga shumë dijetarë sunni si një fakt normal, Wesselam.
Sinqerisht,
Sh