LETRA 53

16 Muharrem 1330

 

Kërkesa për Hadīthin mbi Incidentin e Gadīrit

 

Ju i jeni referuar shpesh incidentit të Gadīrit. Ju lutem tregojeni historinë e tij nga burime sunnite që të mund ta shohim. Wesselām

 

Sinqerisht,

S


LETRA 54

18 Muharrem 1330

 

Xixëllima të Hadītheve Lidhur me Incidentin e Gadīrit

 

Mbështetur në konsensusin e muhadīthëve, Taberānīu dhe shumë të tjerë (Shumë autoritete të shquara e kanë pranuar vërtetësinë e tij, aq sa edhe Ibn Haxheri e ka pohuar këtë, duke cituar Taberānīun e të tjerët, në shubhen 11 prej të radhiturave në f. 25, Pj. 5, Kreu I, i librit es-Sawā‘ik ul-Muhrike.)

 kanë cituar Zejd ibn Arkamin, i cili ka thënë:

 

“I Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, mbajti njëherë një fjalim në Gadīr Khumm, nën hijen e ca pemëve e tha: ‘O njerëz! Më duket se së shpejti do të thirrem e do t’i përgjigjem thirrjes.

(Ai e lartësoi shpirtin e tij të pastërt thjesht për të tërhequr vëmendjen e tyre ndaj faktit se kishte ardhur koha që misioni i tij të përsosej, duke e bërë të nevojshëm emërimin e zëvendësit të tij, dhe se ai s’mund ta shtynte këtë nga frika se mund të thirrej para se ta përmbushte një mision të tillë të cilin ai po e përkryente dhe që ishte i domosdoshëm për ummetin e tij.) 

 

Unë kam përgjegjësinë time

(Duke qenë se emërimi i të vëllait u peshon rëndë atyre që konkurrojnë, lakmojnë, krijojnë fitne dhe hipokrizi, ai (s) dëshiroi që para shpalljes së një lajmi të tillë, t’u fliste butë, me shpresë se mund t’i prekte dhe të bashkonte zemrat e tyre dhe në droje të fjalëve e veprave të tyre, ai tha: “Unë jam përgjegjës”, që ata ta kuptonin se ai merr urdhra dhe mban përgjegjësinë e zbatimit të tyre; prandaj ai thjesht duhet ta bëjë këtë. Imam el-Wāhidī, në librin e tij Asbāb un-Nuzūl, citon Ebū Sa‘īd Khudrīun duke thënë: “Ajeti {O i Dërguar! Kumtoje atë që të është shpallur nga Zoti yt} u zbrit ditën e Gadīr Khummit, për ‘Alī ibn Ebī Tālibin.”) 

 

dhe ju keni tuajën;

 (4Duke thënë ‘Edhe ju jeni përgjegjës’, ai (s) mund të ketë nënkuptuar, siç citon Dejlemīu e të tjerë dhe siç pohohet në Sawā‘ik ul-Muhrike e gjetkë nga Ibn Sa‘īdi, se ata duhet të pasojnë gjurmët e tyre, pasi ata janë përgjegjës për wilājet-in e ‘Alīut. Imam el-Wahidī ka thënë: “Ata janë përgjegjës për wilājet-in e ‘Alīut dhe Ehl ul-Bejtit.” Kështu, qëllimi i thënies “edhe ju jeni përgjegjës” është t’i kërcënojë ata që do ia diskutonin autoritetin wali-ut dhe wasi-ut të tij.)

 

çfarë thoni pra?’

Ata u përgjigjën: ‘Dëshmojmë se e përcolle Shpalljen, u përpoqe dhe udhëzove, prandaj Allahu ta shpërbleftë me më të mirin shpërblim.’ Ai i pyeti: ‘A nuk dëshmoni gjithashtu se nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij, se xheneti i Tij është hak dhe se xhehenemi i Tij është hak, se jeta pas vdekjes është hak, se Vakti do të vijë patjetër, dhe se Allahu do t’i ringjallë të vdekurit nga varri?’ Ata thanë: ‘Vërtet, dëshmojmë për të gjitha këto.’ Ai tha: ‘O Zot i Plotfuqishëm! Dëshmo se ata e bënë këtë.’ Pastaj tha: ‘O njerëz! Allahu është Kujdestari im, e unë jam kujdestari (mawla) i besimtarëve. Unë kam më tepër autoritet mbi jetët e tyre se ata vetë; 

(Shumë njerëz janë thelluar mbi këtë hytbe, duke i kushtuar vëmendjen e merituar, dhe kanë arritur në përfundimin se kuptimi i saj nuk është gjë tjetër veç faktit se wilājet-i i ‘Alīut është rrënjë e besimit po aq sa përgjegjësia e Profetit si Imam, sepse ai në fillim drejtoi pyetjen: “A dëshmoni se s’ka zot përveç Allahut, dhe se Muhammedi (s) është robi e i Dërguari i tij?” Pastaj ai tha: “Vakti po afrohet, kjo s’ka të dyshuar, dhe Allahu do t’i sjellë patjetër në jetë ata që janë në varre”, duke vijuar me një pohim në të cilin ai përmendi wilājet-in, që të kuptohej se ky mbart të njëjtën rëndësi si edhe çështjet për të cilat ai i kishte pyetur dhe për të cilat ata kishin pohuar. Kjo është e qartë për të gjithë të mençurit që janë të njohur me teknikat dhe synimet e një fjalimi.)

 

prandaj, kujtdo që i kam qenë mawla, ky (‘Alī) i është mawla; 

(Pohimi i tij: “Unë jam mawla-i” është dëshmi e sinqertë e një fakti domethënës. Kuptimi i mawla është: ai që është awla, më i larti në status, i epërmi. Kështu, kuptimi i pohimit të tij është: “Allahu është i epërm ndaj meje, e unë jam i epërm ndaj besimtarëve, dhe kushdo që më konsideron mua si të epërm ndaj vetes, duhet ta konsiderojë edhe ‘Alīun si të tillë.”)

 

O Zot! Bëhu mik i kujtdo që miqëson atë, e bëhu armik i kujtdo që bëhet armik i tij.’ Atëherë ai tha: ‘O njerëz! Unë po ju paraprij e ju do më takoni te Burimi, që është më i gjerë se largësia nga Basra në San’ā; aty ndodhen aq kupa argjendi sa dhe yjet; dhe kur të më takoni do t’ju pyes për Dy Gjërat me Peshë, se si më pasuat mua në të trajtuarit e tyre; e Madhja Gjë me Peshë është Libri i Allahut, të Gjithdijshmit, të Lartësuarit, njëra anë e së cilës është dora e Tij dhe tjetra dora juaj; prandaj kapuni pas tij që të mos rrëshqisni, dhe besimi juaj nuk do të pësojë ndryshim; e tjetra është Ehl ul-Bejti im, sepse më i Mëshirshmi e më i Urti më ka njoftuar se ata të dy nuk do të ndahen nga njëri tjetri deri sa të më takojnë mua te Haudi."

(Këtë formulim të hadīthit e citojnë Taberānīu, Ibn Xherīri, Hākimi dhe Tirmidhīu, nga Zejd ibn Arkami. Ai përcillet fjalë për fjalë nga Ibn Haxheri prej Taberānīut dhe të tjerëve, pa ia diskutuar aspak vërtetësinë; drejtojuni pra, faqes 25 të es-Sawā‘ik ul-Muhrike.)

 

Në kreun mbi meritat e ‘Alīut në Mustedrek, Hākimi tregon se Zejd ibn Arkami (Drejtojuni faqes 21 të el-Khasā’īs ‘Alī, ku Profeti (s) citohet duke thënë: “Kujtdo që unë i kam qenë wali, ky (‘Alī) i është wali.”) citohet nga dy burime, çdonjëri prej të cilëve mbahet i besuar prej dy Shejhëve: Hākimi thotë se kur i Dërguari i Allahut (s) po kthehej nga Haxhi i lamtumirës, ai fushoi në Gadīr Khumm e i urdhëroi besimtarët ta fshinin tokën nën disa pemë të larta, ku u formua një minber me samare devesh për të. Ai u ngrit dhe tha:

“Mesa duket jam thirrur e do t’i përgjigjem thirrjes, dhe ju urdhëroj të kujdeseni për Librin e Allahut dhe Pasardhësit e mi; kujdes si i trajtoni ata pas meje, sepse ata nuk do ndahen kurrë nga njëri tjetri gjersa të më takojnë te Haudi.”

Pastaj ai shtoi:

“Allahu Fuqiplotë e i Butë është Kujdestari im dhe unë jam kujdestari i çdo besimtari”, pastaj ai (s) mori dorën e ‘Alīut dhe tha: “Kujtdo që i kam qenë kujdestar, ky ‘Alī i është kujdestar; O Zot! Bëhu mik i kujtdo që e miqëson atë, dhe armik i cilitdo që i kundërvihet atij.”

 

Autori e citon këtë hadīth të gjatë në tërësi. Dhehebīu e citon në Telkhīs pa e komentuar. Edhe Hākimi e citon në el-Mustedrek nga Zejd ibn Arkami, duke ia pranuar vërtetësinë. Megjithë intolerancën e tij, edhe Dhehebīu e pranon atë në Telkhīs, të cilit mund t’i referoheni. Imam Ahmed ibn Hanbeli e ka cituar po këtë hadīth siç e përcjell Zejd ibn Arkami, në formën vijuese:

 

“Ishim në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut, paqe pastë mbi të dhe pasardhësit e tij, kur ai fushoi në një luginë të quajtur Wadī Khumm, dhe ai i urdhëroi të gjithë të mblidheshin për falje në të nxehtin e mesditës. Pastaj, ai na mbajti një fjalim nën hijen e një teshe mbi një pemë me kallama për të ndalur të nxehtit e diellit. Ai tha: ‘A e dini - ose a dëshmoni - se unë kam më tepër autoritet mbi jetën e besimtarit se vetë besimtari?’ Ata pohuan: ‘Vërtet, po.’ Ai tha: ‘Kujtdo që më pranon mua si mawla, ‘Alīu i është mawla; O Zot! Miqësoje këdo që miqëson ‘Alīun dhe bëhu armik i kujtdo që i kundërvihet atij’.”

 

Nesā‘īu citon Zejd ibn Arkamin që thotë se kur Profeti po kthehej nga Haxhi i Lamtumirës dhe mbërriti në Gadīr Khumm, ai (s) urdhëroi që toka nën disa pemë të larta të fshihej. Ai kumtoi:

“Me sa duket jam ftuar dhe e pranova ftesën. Po lë me ju Dy Gjëra me Peshë, njëra prej tyre është më e madhe se tjetra: Librin e Allahut dhe Pasardhësit e mi: Ehl ul-Bejtin tim; kujdes pra, se si më pasoni mua në të trajtuarit e tyre, sepse ata nuk do të ndahen nga njëri tjetri gjersa të më takojnë te Burimi.” Pastaj, ai shtoi: “Allahu është Kujdestari im e unë jam kujdestari (mawla) i çdo besimtari.” Duke kapur dorën e ‘Alīut, ai tha: “Kujtdo që i kam qenë kujdestari, ky ‘Alī i është kujdestari; O Zot! Bëhu mik i atyre që e miqësojnë atë, dhe armik i atyre që i kundërvihen.” Ebū Tufejli thotë: “E pyeta Zejdin: ‘A i ke dëgjuar ti vetë këto fjalë të Profetit të Zotit (s)?”

(Pyetja e Ebū’l-Tufejlit tregon padyshim çuditjen e tij me kapërcimin nga ummeti të kësaj çështjeje mbi ‘Alīun, megjithë hadīthin që ai përcjell nga Profeti i vet në nderim të ditës së Gadīrit. Thua se dyshonte për saktësinë e këtij hadīthi, ai vazhdoi dhe e pyeti Zejdin: “A e dëgjove ti vetë atë nga i Dërguari i Allahut (s)?” Toni i tij ishte ai i të çuditurit, habiturit, dhe disi skeptikut. Zejdi iu përgjigj se të gjithë të pranishmit nën ato pemë, vërtet e kishin parë Profetin (s) me sytë e tyre dhe e kishin dësgjuar me veshët e tyre; atëherë Ebū’l-Tufejli e kuptoi se çështja ishte tamam siç thotë Kumeiti, Allahu e mëshiroftë shpirtin e tij: Ditën e dawh-it, dawh-it te Gadīri Khilāfeti u shpalos qartë dhe më së miri; Vetëm sikur turma të kish zgjedhur të bindej Një ditë si ajo s’kam parë kurrë të lindej. E as kam parë një atillë të drejtë Të shkelet ashpër dhe shpërfillet krejt Por njerëzit e shitën dhe unë kurrë s’kam parë Një e drejtë e tillë të shitet në pazar...)

 

 Ai u përgjigj se të gjithë ata që ishin atje nën ato pemë të larta e kishin parë atë (s) me sytë e tyre dhe e kishin dëgjuar me veshët e tyre. Muslimi e regjistroi këtë hadīth në kreun mbi vetitë e ‘Alīut nga transmetues të ndryshëm që përfundojnë me Zejd ibn Arkamin, por ai e preu dhe e shkurtoi... {kështu pra sillen disa} (27:34).

 

Imam Ahmedi e ka regjistruar këtë hadīth nga Berā’ ibn ‘Āzibi në dy zinxhirë:

“Ishim në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut (s) kur ai fushoi në Gadīr Khumm. U thirr ezani. Pjesa nën disa pemë u zgjodh dhe u fshi. Ai fali drekën, pastaj kapi dorën e ‘Alīut dhe pyeti turmën: ‘A nuk e dini se unë kam më tepër autoritet mbi besimtarët se vetë ata?’ Ata u përgjigjën: ‘Po, e dimë.’ Ai pyeti: ‘A e dini se unë kam më tepër autoritet mbi çdo besimtar se ç’ka ai vetë?’ Ata pohuan; atëherë ai mori dorën e ‘Alīut e tha: ‘Kushdo që më ka pranuar mua si kujdestarin e vet, ky ‘Alī është kujdestari i tij; O Zot! Miqësoje këdo që miqëson atë dhe bëhu armik i kujtdo që armiqësohet me të.’ ‘Umeri e takoi menjëherë dhe i tha: ‘Urime, o Ibn Ebī Tālib! Ti u bëre, nga agimi gjer në muzg, kujdestari i çdo besimtari dhe besimtareje’.”

 

Nesā‘īu ka cituar ‘Āishe bint Sa‘din duke thënë se ajo e kishte dëgjuar të atin të thoshte: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, Ditën e Xhuhfes, kur ai mori dorën e ‘Alīut dhe mbajti një fjalim ku madhëroi e falënderoi Allahun, dhe tha:

‘O njerëz! Unë jam wali-u juaj.’ Ata thanë: ‘Të vërtetën the.’ Pastaj ai ngriti dorën e ‘Alīut dhe tha: ‘Ky është wali-u im mbi ju për të kryer përgjegjësitë e fesë time në emrin tim; unë mbështes cilindo që e mbështet atë dhe jam armiku i cilitdo që i kundërvihet atij’.”

 

Sa‘di citohet gjithashtu duke thënë:

“Ishim në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut (s). Kur mbërritëm në Gadīr Khumm, ata që kishin ecur para u kthyen, dhe ai i priti ata që kishin mbetur pas, gjersa u mblodhën të gjithë. Atëherë ai tha: ‘O njerëz! Cili është wali-u juaj?’ Ata u përgjigjën: ‘Allahu dhe i Dërguari i Tij.’ Atëherë ai mori dorën e ‘Alīut, e ngriti lart dhe tha: ‘Kushdo që e ka marrë Allahun dhe të Dërguarin e tij si wali-un e vet, ky është wali-u i tij; O Zot! Bëhu mik i kujtdo që miqëson atë e bëhu armik i kujtdo që është armik i tij’.”

 

Librat e traditave që e shënojnë këtë ngjarje janë të panumërt e s’mund të citohen këtu të gjithë. Ata të tërë përmbajnë tekste që tregojnë haptas se ‘Alīu është zëvendësi dhe mëkëmbësi i Profetit (s), ashtu siç ka thënë Fadl ibn el-‘Abbās Ebū Lehebi: Ai që pas Muhammedit mëkëmbës duhet pranuar, brez pas brezi, është ‘Alīu; sepse ai tërë jetën shoku i tij përherë mbeti.

 

Sinqerisht,

Sh