LETRA 5

9 Dhu’l Ki’de 1329 H.

 

I Pranimi i Argumentit Tonë,

II Kërkesa për Prova të Detajuara.

 

1) Letra juaj ishte fare e qartë, e renditur shkëlqyeshëm, e denjë për çdo lavdërim. Ajo qëndron elokuente në shprehje, e fuqishme në vendosmëri dhe e fortë në argument.

Ajo s’kursen asnjë orvatje për të vërtetuar se nuk është e detyrueshme të ndiqen medhhebet e shumicës në rrënjët dhe degët e fesë, duke mos rezervuar asnjë përpjekje për të konfirmuar se dyert e ixhtihādit duhet të qëndrojnë të hapura. Letra juaj, pra është e fortë në të dyja çështjet, e saktë në të vërtetuarit e secilës dhe ne nuk i mohojmë hulumtimet tuaja lidhur me to e as shkoqitjen tuaj të paqartësive të tyre, ndonëse nuk ishim aq të njohur me to; dhe pikëpamja jonë ndaj tyre është identike me tuajën.

 

2) Ne ju patëm pyetur për arsyen tuaj të mospranimit të medhhebeve të ndjekura nga shumica e muslimanëve dhe përgjigja juaj ishte: për shkak të “provave tekstuale”, ndërkohë që pritej nga ju që ta shtjellonit këtë më hollësisht. A do mundnit tani, ju lutem, t’i kushtoheshit shkoqitjes së tyre me prova vendimtare nga Libri ose Sunneti të cilat - siç përmendët - e largojnë besimtarin nga të pasuarit e animeve të tij? Ju faleminderit; dhe paqja qoftë me ju.

 

Sinqerisht,

S

 

 

LETRA 6

12 Dhu’l-Ki’de 1329 H.

 

I Përmendje e Provave që Urdhërojnë Pasimin e ‘Itres

II Emīr ul-Mu’minīni Fton në Medhhebin e Ehl-i Bejtit,

III Pohim Relevant i Imam Zejnul ‘Ābidīnit.

 

Ju, falë Allahut, mund të bindeni thjesht nga një aludim, pa nevojën për sqarim dhe qëndroni përmbi të dyshuarit e vetë faktit se Pasardhësit e pastruar (‘Itre) janë të epërm mbi të gjithë të tjerët. Rasti i tyre është krejt i qartë: ata ia kanë kaluar atyre me aftësi e janë shquar mbi - në dukje - të ngjashmit me ta. Ata kanë ruajtur nga i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të e familjen e tij, dijen e profetëve dhe prej tij (s) i kanë sistemuar ligjet sekulare e fetare.

 

1) Kësisoj, Profeti (s) i ka barazuar ata vetëm me Librin Famëlartë duke i bërë modelet e sjelljes për të pajisurit me intelekt, barkën e shpëtimit kur hipokrizia me dallgët e saj përpijëse të dërrmojë sigurinë e ummetit, duke e ruajtur atë ndaj trazive nëse stuhitë e përçarjes vërsulen egër; Portën e Pendimit në të cilën ai që hyn është i falur dhe Litarin e fortë të Allahut që është i pakëputshëm.

 

2) Prijësi i Besimtarëve citohet në ligjëratën 86 të Nehxhul Belāgës duke thënë:

“Ku jeni nisur,e nga po shmangeni,kur flamujt qëndrojnë lart, Shenjat duken qartë dhe fanarët janë në këmbë? Nga po kuturiseni, pra?Jo; si qëndroni symbyllur kur keni në mesin tuaj pasardhësit (‘Itre) e Profetit? Ata janë kapistallët e së Drejtës, emblemat e besimit dhe gjuhët e së vërtetës; kushtojini pra atyre atë që i kushtoni Kur’anit dhe qasjuni atyre ashtu siç i qasen devetë e etura burimit. O njerëz!

 

Merreni këtë nga vula e Profetëve, bekime pastë mbi të dhe pasardhësit e tij:

‘Cilido që ndërron jetë prej nesh s’ka vdekur dhe kushdo nga ne që tretet nuk tretet së vërteti; mos flisni pra çfarë nuk dini, sepse më e madhja e së Vërtetës ndodhet në atë që mohoni. Pranojeni argumentin e atij, ndaj të cilit nuk keni argument - dhe ky jam unë: ‘A nuk veprova ndaj jush sipas së Madhes Gjë me Peshë  (Kur’anit)? A nuk lashë midis jush të Voglën Gjë me Peshë (Ehl ul-Bejtin) dhe vendosa mes jush fuqishëm flamujt e besimit?"

 

Ai (paqe pastë mbi të) ka thënë në ligjëratën 96 të Nehxhul Belāgës:

“Vështrojini njerëzit e shtëpisë së Profetit (s) tuaj;bashkojuni shembullit të tyre dhe pasoni gjurmët e tyre, sepse ata nuk do ju nxjerrin kurrë nga udhërrëfimi e as t’ju hedhin pas në shkatërrim; ndaloni kur ata të ndalen dhe ngrihuni kur ata të ngrihen dhe mos u dilni përpara se përndryshe do rrëshqisni e as mos u mbetni prapa se kështu do të humbisni.”

 

 Ai (paqe pastë mbi të) i ka përmendur ata njëherë, siç shënohet në ligjëratën 237 të Nehxhul Belāgës, duke thënë:

“Ata janë jeta e dijes dhe vdekja e injorancës; durimi i tyre ju tregon për dijen që kanë dhe pamja e tyre ju flet për ndërgjegjen që mbajnë. Heshtja nga ata dëshmon urtinë e fjalës së tyre. Ata nuk dallojnë nga e vërteta dhe as ndryshojnë mes tyre rreth saj. Ata janë shtyllat e Islamit dhe shtigjet drejt shpëtimit. Përmes tyre, e drejta u rikthye, keqbërja u largua dhe gjuha e saj u çrrënjos. Ata e përvetësuan besimin me përkujdesje dhe vëmendje e jo me të dëgjuar a me të përcjellë, sepse ‘përcjellësit’ e dijes janë të shumtë, por ruajtësit e saj janë të paktë.”

 

Ai, siç shënohet në hytben 93 në Nehxhul Belāga, ka thënë gjithashtu:

“Pasardhësit e tij janë më të mirët dhe familja e tij është më e mira. Pema e tij është më e fismja ndër pemë: ajo është vendosur në tokën e shenjtë dhe është rritur si hardhi; degët i ka të larta dhe frutin e pakapshëm.”

 

 Ai (paqe pastë mbi të) citohet në hytben 153 të Nehxhul Belāgës, duke thënë:

“Ne jemi flamuri, shoqëruesit, të besuarit dhe dyert. Shtëpive nuk u hyhet, veçse nga dyert: kushdo që u qaset atyre ndryshe, quhet hajdut” gjersa ai, duke përshkruar pasardhësit e pastruar, tha: “Për ta janë pjesët e holla të Kur’anit dhe ata janë thesaret e të Gjithëmëshirshmit. Ata thonë të vërtetën kur flasin e kur heshtin; asnjë nuk mund të flasë përpara tyre. Atëherë le t’ua përcjellë paralajmëruesi të vërtetën njerëzve të tij, duke ruajtur mençurinë.”

 

Ai ka thënë në hytben 146 të Nehxhul Belāgës:

“Duhet ta dini se kurrë nuk do e njihni të vërtetën përderisa të mos njihni atë që e ka braktisur e as që do t’i përmbaheni Librit përderisa të mos njihni atë që e shkel; ju s’do të kapeni pas tij gjersa të njihni atë që e ka shpërfillur. Kërkojini pra nga ata që i zotërojnë, sepse ata janë lulëzimi i dijes dhe vdekja e injorancës. Ata janë njerëzit, gjykimi i të cilëve ju tregon dijen e tyre, heshtja e të cilëve ju flet për fuqinë e fjalës së tyre dhe pamja e jashtme për brendinë e tyre; ata as nuk e shkelin dīnin dhe as që ndryshojnë ndërmjet tyre rreth tij, ndërkohë që në mesin e tyre është një dëshmues besnik dhe një folës i heshtur.”

 

Ka shumë pohime po kaq mbresëlënëse të tij lidhur me çështjen në fjalë; shqyrtojeni këtë, që është shkëputur nga ligjërata 4 në Nehxhul Belāga:

“Nëpërmjet nesh ju morët udhërrëfim në errësirë, duke ngjitur kulmin e fisnikërisë dhe përmes nesh arritët dritën dhe davarisët natën e errët. U shurdhofshin veshët që nuk e dëgjojnë thirrësin!”

 

 Ai citohet në ligjëratën 104 të Nehxhul Belāgës:

“O njerëz! Sigurojeni dritën tuaj nga flaka e pishtarëve të predikuesit, i cili e pason atë që predikon dhe pini nga burimi, që është pastruar nga ndytësitë.”

 

Ai gjithashtu ka thënë në ligjëratën 108:

“Ne jemi pema e profetësisë, vatra e Mesazhit, ata që vizitohen nga engjëjt, thesaret e dijes, burimet e urtisë. Mbështetësin e dashamirësin tonë e pret mëshira, kurse armikun dhe kundërshtarin tonë e pret zemërimi.”

 

Mes asaj që ai foli lidhur me këtë çështje, është ligjërata 143 e Nehxhul Belāgës, në të cilën ai thotë:

“Ku janë ata që pretenduan se ishin ‘të thelluarit në dije’ kundrejt nesh? Kjo është një gënjeshtër dhe shkelje ndaj nesh, sepse Allahu na ngriti lart ne dhe i mbajti poshtë ata; Ai na dhuroi neve ndërsa ata i privoi dhe Ai na e lejoi ne hyrjen (në fortesën e dijes), por i mbajti jashtë ata. Përmes nesh arrihet udhërrëfimi në dritë dhe hiqet verbëria e errësirës. S’ka dyshim se Imamët nga Kurejshët janë mbjellë përmes Hāshimit. Imameti s’i shkon përshtat askujt tjetër, e po kështu as qeverisja.”

 

Pastaj ai foli:

“Por ata parapëlqyen përfitimin e shpejtë përpara atij të mëvonshmit,4b duke braktisur burimin e kulluar për të pirë nga uji i ndotur”, gjer në fund të fjalimit të tij.

 

Ai gjithashtu ka thënë, në mbyllje të hytbes 189 të Nehxhul Belāgës:

“Cilido nga ju që vdes në shtratin e tij, duke ia njohur të drejtat Zotit dhe duke njohur të drejtat e të Dërguarit të Tij dhe familjes së vet (Ehl ul-Bejt), vdes si shehīd. Shpërblimi i tij është te Allahu dhe ai meriton shpërblimin e veprave të mira që ka synuar: vetë nijeti do t’i mjaftojë sa zhveshja e shpatës së tij [në xhihād ].”

 

 Po ashtu ai ka thënë:

“Ne jemi të virtytshmit; pasardhësit tanë janë pasardhësit e profetëve; pala jonë është pala e Allahut - të Lartësuarit dhe të Madhëruarit, ndërsa pala shkelëse është ajo e shejtanit; kushdo që na barazon me armikun tonë me siguri nuk është prej nesh.”

 

Imam el-Muxhtebe Ebū Muhammed el Hasan, durimtari, prijës i rinisë së Xhennetit, ka thënë në një prej ligjëratave të tij: “Kijeni frikë Allahun lidhur me ne, se ne jemi sundimtarët tuaj!”

(Referoju kësaj në mbyllje të kreut të tij mbi testamentin e Profetit (s) për ta, në f. 137 të es-Sawā‘ik ul-Muhrike nga Ibn Haxheri [Egjipt: Matba’et ul-Meimunijje, 1312 H.])

 

3). Kurdoherë që Imam Ebū Muhammed ‘Alī ibn Husein Zejnul ‘Ābidīn, prijësi i atyre që përulen në sexhde, lexonte këtë varg të të Plotfuqishmit:

{O ju që besuat! Druajuni Allahut dhe jini me të Besuarit}, ai bënte një du‘ā të gjatë, e cila përmbante përgjërimin e tij që të përfshihej me “të Besuarit”, për të arritur atë rang të lartë." Atëherë, ai numëronte fatkeqësitë dhe risitë e grupit që u shkëput nga Imamët e besimit dhe trungu i Profetit.

Pastaj ai thoshte:

“Disa shkuan deri aty sa të na nënvlerësonin, duke nxjerrë shfajsime për ajetet që u dukeshin të njëllojta, duke dhënë interpretimet e tyre për to dhe ngritur dyshime për hadīthet e përcjella në nderimin tonë... Me kë do të kërkojnë strehim njerëzit në këtë popull, kur shtyllat e dīnit janë harruar dhe ummeti është përçarë me fesade, ku secila palë akuzon tjetrën për kufr, ndërkohë që Allahu thotë:

{Dhe mos u bëni si ata që u ndanë e u përçanë edhe pasiqë iu zbritën Dëshmitë e Qarta}?

Kujt mund t’i besohet përcjellja e argumenteve hyjnore dhe interpretimi i Ligjit, përveç shoqëruesve të Kur’anit, pasardhësve nga Imamët e Udhërrëfimit, fanarëve në mesin e errësirës, atyre që Allahu i bëri Provat e Tij ndaj robërve të Vet? Ai s’e ka lënë kurrë krijimin pa një Provë. A i njihni dhe a i gjeni ato gjetiu përveç se nga degët e Pemës së Bekuar, asaj që mbetet prej Elitës, nga e cila Allahu ka larguar tërë papastërtitë, duke i pastruar me një pastrim të përkryer, kulluar nga bërja e mëkateve6c dhe obliguar dashurinë për ta6d në Librin e Tij?”

 

  Kjo ishte fjala e tij shprehimisht. Vështrojeni atë dhe citatet tona nga fjalët e Prijësit të Besimtarëve; do t’i gjeni të dyja përfaqësuese të medhhebit shī‘it në këtë aspekt, fare qartë. Merrni parasysh kaq prej fjalimeve të tyre si mostër për të gjitha fjalimet e Imamëve nga Ehl ul-Bejti. Ato pajtohen të gjitha njëzëri dhe librat tanë sahīh që i përcjellin ato janë mutewātir, paqe pastë me ju.

 

Sinqerisht,

Sh