LETRA 43

4 Muharrem 1330

 

Konteksti Tregon ‘të Dashurin’, ose Ngjashëm.

 

Allahu jua bekoftë babain! Ju padyshim m’i keni larguar mëdyshjet dhe kështu e keni mposhtur skepticizmin tim, aq sa e vërteta ka dalë sheshit.

S’mbetet gjë për të thënë, përveç faktit që konteksti i ajetit në fjalë tregon ndalesën e marrjes së të pafeve për walij. Vargjet që i paraprijnë dhe e pasojnë atë e dëshmojnë këtë fakt, dhe kjo mbështet mendimin se konotacioni i fjalës ‘wali’ në këtë ajet është ‘mbështetës’, ‘i dashur’, ‘mik’ ose i ngjashëm; cila do të ishte përgjigja juaj atëherë? Tregojeni mirësisht atë, Wesselām.

 

Sinqerisht,

S

 

 


LETRA 44

5 Muharrem 1330

 

I Konteksti Nuk Tregon ‘Mbështetës’ apo Ngjashëm,

II Konteksti nuk i Zhvleftëson Provat.

 

1) Ja përgjigja ime: Ky ajet, nëse e hetojmë pa i shikuar vargjet që i paraprijnë, të cilat ndalojnë marrjen e të pafeve për walij, nuk nënkupton lavdërimin e Prijësit të Besimtarëve apo rekomandimin e tij për udhëheqje dhe imamet duke i kërcënuar të pabindurit me fuqinë e tij, apo duke i paralajmëruar ata ndaj dënimit prej tij. Kjo sepse në ajetin paraprirës, nëse dhe kur hetohet i pavarur, Allahu Te’alā thotë:

"O ju që besuat! Nëse ndonjëri nga ju braktis fenë e tij, Allahu do të ngrejë një popull që Ai do dhe që e do Atë, të butë ndaj besimtarëve, të fortë ndaj jobesimtarëve, që përpiqet në rrugën e Tij, pa iu frikësuar askujt për këtë. Kjo, padyshim, është mirësi nga Allahu; Ai ia dhuron kujt dëshiron, dhe Allahu është i Gjithdijshëm." (5:54)  

(Kjo i ngjan në kuptim, hadīthit të të Dërguarit të Allahut (s), që thotë:

“Ju, o Kurejshë, s’do reshtni kurrë së armiqësuari gjersa Allahu t’ju dërgojë një njeri sinqeritetin e īmānit të të cilit Ai e ka testuar me të goditurit e qafave tuaja me shpatën e tij, teksa ia mbathni në panik si gjedhët e tmerruara.”

Ebū Bekri pyeti: “A jam unë ky, O i Dërguari i Allahut?”

Ai u përgjigj: “Jo, por është ai që po ndreq sandalen.”

Rrëfyesi vazhdon duke thënë: “Në atë çast ‘Alīu kishte në dorë sandalen e Profetit të cilën po ia rregullonte atij, paqe pastë mbi të e familjen e tij.”

Ky hadīth është regjistruar nga shumë autorë të librave të hadīthit dhe është nr 610 në fillim të faqes 393, vëll. VI, Kenz ul-‘Ummāl. Po ashtu, e ngjashme me të është thënia e tij (s):

“Mes jush ndodhet një njeri që do të luftojë për vënien në jetë të Kur’anit ashtu siç luftova unë për shpalljen e tij.”

Ebū Bekri pyeti: “A jam unë ai?”

Ai u përgjigj: “Jo.”

‘Umeri pyeti po ashtu, e Profeti (s) i thaj: “Jo, por njeriu që ndodhet brenda duke ndrequr sandalen”, kur ‘Alīu doli nga dhoma me sandalen e Profetit (s) në dorë, pasi e kishte riparuar."

Ky hadīth citohet nga Imam Ahmedi në Musned prej Ebū Sa‘īdit dhe përcillet nga Hākimi në Mustedrek, Ebū Ja‘līu në Musned dhe shumë muhadīthë të tjerë. El-Muttekī el-Hindī e citon prej tyre, në f. 155 të vëll. VI të librit të tij Kenz ul-‘Ummāl.)

 

Ky ajet u shpall për Prijësin e Besimtarëve, duke i paralajmëruar të tjerët për fuqinë e tij dhe atë të ndjekësve të tij, siç e pohoi ai vetë në Betejën e Devesë dhe siç u përcoll nga Imamët el-Bākir dhe es-Sādik.

 

I njëjti kuptim nxirret nga Tha‘lebīu në Tefsīr Keshf ul-Bejān. Ai përcillet po ashtu nga autori i Muxhma’ ul-Bejān fī TefsīrilKur’ān prej ‘Ammārit, Hudhejfes e Ibn ‘Abbāsit. Ai interpretohet kështu sipas konsensusit të shī‘itëve që e transmetojnë mutewātir prej Imamëve të ‘Itres së Pastruar. Kështu, ky ajet i wilājet-it do të vijë pas aludimit të wilājet-it të tij dhe të referuarit e domosdoshmërisë së pranimit të imametit të tij. Konteksti i tij do të ishte atëherë një shpjegim i atij nënkuptimi dhe shkoqitje e aludimit që i parapriu, i cili sugjeron prijësinë e tij; si mund të thuhet pra, se ky ajet u shpall në kontekstin e ndalimit të marrjes për walij të të pafeve?

 

 2) Vetë i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të e familjen e tij, e ka njësuar statusin e Imamëve nga pasardhja e tij me atë të Kur’anit Famëlartë, duke treguar se të dy nuk do të ndahen kurrë nga njëri tjetri, dhe se ata janë të njëllojtë për nga rëndësia me vetë Librin e Allahut; nëpërmjet tyre mund të dallohet e drejta nga e shtrembra.

 

Për ta, marrja e këtij ajeti si provë përcillet mutewātir. Kuptimi që ata kanë zbatuar ngaherë për fjalën wali në këtë kontekst është i njëllojtë me atë që zbatova mësipër; ndaj konteksti nuk mban kurrfarë peshe nëse e merrni si kundërshtues të teksteve të tyre, (Ç’peshë mund të ketë një interpretim sipërfaqësor nëse i bie ndesh frymës së krejt tekstit?) sepse tërë muslimanët pajtohen lidhur me përdorimin e kontekstit si argument i drejtë. Kur konteksti dhe prova përplasen me njëri tjetrin, ata e braktisin konotacionin e kontekstit dhe i dorëzohen diktatit të provës. Kjo për faktin se nuk mund të mbështetet mbi konotacionin e kontekstit të këtij ajeti, pasi vetë Libri Famëlartë s’është i renditur sipas radhitjes së shpalljes së vargjeve të tij.

 

Për pasojë, ka mjaft ajete që japin një kuptim që i bie ndesh kontekstit. Për shembull sureja ku ndodhet Ajeti i Pastrimit merret me gratë, por dihet se ai është në lavdërim të pesë individëve të ndritur nën mbulojë.

Në përgjithësi, të interpretosh një ajet në një mënyrë që i bie ndesh kontekstit të tij nuk e dhunon assesi aspektin e tij mrekullor, s’ia dëmton elokuencën dhe nuk ndalon t’i referohesh saherë e kërkojnë provat e pakundërshtueshme. Wesselam.

 

Sinqerisht,

Sh