LETRA 37

29 Dhu’l-Hixhe 1329

 

Wali është Emërtim Gjuhësor; Ku është Teksti atëherë?

 

Fjala wali është emërues i përbashkët që do të thotë mbështetës, mik, i dashur, kunat, ndjekës, ortak dhe fqinj. Kushdo që merr drejtimin e çështjeve të dikujt është wali-u i tij. Hadīthet që cituat mund të nënkuptojnë thjesht: ‘Alīu është mbështësi, ose miku, a i dashuri juaj pas Profetit; ku është atëherë teksti që ju pretendoni?

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 38

29 Dhu’l-Hixhe 1329

 

I Shpjegimi i Rrjedhimeve të Fjalës Wali,

II Vërtetimi i Konotacionit të saj.

 

1) Ju theksuat, duke shpjeguar kuptimet e “wali”, se kushdo që merr drejtimin e çështjeve të dikujt, bëhet wali i tij. Ky është me të vërtetë konotacioni i “wali” sa u përket atyre hadītheve. Kjo është ajo që vjen ndërmend. Kuptimi i saj i ngjan thënies “I mituri pati për wali si gjyshin nga babai ashtu edhe atë nga nëna, pastaj u vu nën kujdesin e njërit prej tyre dhe pastaj të administruesit ligjor.” Kjo nënkupton se këta persona janë të ngarkuarit me përkujdesjen dhe administrimin e çështjeve të tija në emër të tij.

 

2) Provat që dëshmojnë për kuptimin e dhënë s’janë të fshehura nga të maturit. Pohimi i tij (s) “Dhe ai është waliu juaj pas meje” e kufizon qartazi wilājet-in për të dhe vetëm për të. Kjo na obligon të përqafojmë kuptimin që sapo i përngjitëm kësaj fjale, një kuptim ky që nuk përputhet me atë të asnjë interpretimi tjetër.

 

Mbështetja, dashuria, miqësia e të ngjashmet s’kufizohen te një person i vetëm, dhe besimtarët e besimtaret, janë walij të njëri tjetrit. Ç’meritë tjetër përveç asaj që treguam mund të ketë theksuar Profeti (s) në këtë hadīth për vëllain e waliun e tij nëse themi që kuptimi i fjalës wali është diçka tjetër e ndryshme nga ajo që thamë më sipër?

 

Çfarë çështjeje të fshehtë vendosi të zbulonte Profeti (s) me anë të hadītheve të tilla sikur kuptimi i wali-ut të kish qenë mbështetësi, i dashuri apo të ngjashme?

I Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të e pasardhjen e tij, qëndron përmbi të qartësuarit e së qartës, apo të treguarit e asaj që merret si e mirëqenë. Urtia e tij është e gjerë, pagabueshmëria e tij është detyruese, Mesazhi i tij është vendimtar dhe shumë më tepër se ç’pandehin disa.

 

Gjithsesi, këto hadīthe janë fare të qarta në të pohuarit se wilājet-i është caktuar për ‘Alīun pas të Dërguarit të Allahut. Edhe kjo, po ashtu, kërkon zbatimin e të njëjtit kuptim që sugjeruam. Ajo thjesht nuk shpie në kuptimet ‘mbështetës’, ‘i dashur’ etj, ngaqë s’ka dyshim se ‘Alīu njihet të jetë mbështetur, dashur e miqësuar nga muslimanët falë rritjes së tij në prehrin e Profetit (s) dhe ndihmesave në përhapjen e Mesazhit të tij gjersa ai ndërroi jetë.

 

Mbështjetja, dashuria dhe miqësia ndaj muslimanëve pra, nuk kufizohen vetëm tek ‘Alīu pas të Dërguarit të Allahut (s), siç është krejt e qartë. 

 

Mjafton për ju si dëshmi e këtij kuptimi ajo që ka pohuar Imam Ahmedi në f. 347 të vëll. V të Musned-it të tij me një zinxhir të saktë transmetuesish, që citon Sa‘īd ibn Xhubejrin tek përcjell nga Ibn ‘Abbāsi, që citon Burejden duke thënë:

“Mora pjesë në pushtimin e Jemenit nga ‘Alīu dhe ai m’u duk i frohtë ndaj meje; prandaj, kur erdha tek i Dërguari i Allahut (s) ia përmenda ‘Alīun dhe e nënçmova atë. Atëherë, e pashë fytyrën e të Dërguarit të Allahut të ndërronte ngjyrë dhe ai më pyeti:

‘O Burejde! A s’kam unë më tepër autoritet mbi besimtarët se vetë ata?’

Unë u përgjigja: ‘Vërtet po, o i Dërguari i Allahut.’

Atëherë ai (s) tha: ‘Kujtdo që i kam qenë mawla, edhe ‘Alīu i është mawla.”

 

Ky hadīth citohet edhe nga Hākimi në faqe 110, vëll. III i Mustedrek-ut, ku ai e shpall të saktë me autoritetin e Muslimit.

Dhehebīu e ka cituar në Telkhīs, duke ia marrë vërtetësinë të mirëqenë sipas kushtit të Muslimit. Ju vetë e dini implikimin që mbart pyetja hyrëse: “A s’kam më tepër autoritet mbi besimtarët se vetë ata?”, një kuptim ky që e mbështet atë që sugjeruam. Cilido që i shkoqit këto hadīthe si dhe çështjet e lidhura me to, nuk do të ketë kurrfarë dyshimi rreth asaj që thamë, we’l-hamdu li’l-Lāh.

 

Sinqerisht,

Sh