LETRA 31
22 Dhu’l-Hixhe, 1329
Kërkesa e Burimeve të Këtij Hadīthi
Ju nuk sollët asnjë provë që dëshmon se ky hadīth është thënë në ndonjë rast tjetër përveç atij të Tebūkut. Jam tepër i etur të njihem me burimet e tij të kulluara; ndaj ju lutem më çoni te kroi i tij, dhe paqja qoftë me ju.
Sinqerisht,
S
LETRA 32
24 Dhu’l-Hixhe 1329
I Ndër Burimet: Vizita e Profetit (s) te Ummi Selīme,
II Rasti i Bijës së Hamzasë,
III Mbështetja mbi ‘Alīun,
IV Vëllazërimi i Parë,
V Vëllazërimi i Dytë,
VI Mbyllja e Dyerve,
VII Profeti Krahason ‘Alīun dhe Harūnin me Dy Yjet.
1) Ndër burimet e tij është biseda e Profetit (s) me Ummi Selīmen, (Ajo është bijë e Mihān ibn Khālid elEnsārīut dhe motër e Harām ibn Mihānit. Babai dhe vëllai i ranë shehīdë tek shoqëronin Profetin (s). Ajo zotëronte arritje dhe urti të lartë. Ajo rrëfeu disa hadīthe të Profetit, dhe u citua nga i biri Enesi, krahas Ibn ‘Abbāsit, Zejd ibn Thābitit, Ebū Selāme ibn ‘Abdur-Rahmānit, etj. Ajo vlerësohet në rreshtin e parë të atyre që pranuan dhe mbështetën Islamin, dhe ishte vetë thirrëse në Islam. Gjatë periudhës së injorancës, ajo ishte dashuruar me Mālik ibn el-Nadarin nga i cili pati një djalë me emrin Enes bin Mālik. Me agimin e Islamit, ajo qe ndër të parat që e përqafoi atë dhe e ftoi të shoqin të besonte në Allahun e të Dërguarin e Tij, por ai refuzoi; ndaj, ajo e la e ai i zemëruar u vendos në Siri ku vdiq kāfir. Ajo e këshilloi të birin, asokohe dhjetë vjeç, t’i shërbente Profetit dhe ai (s) e pranoi shërbimin e tij për hir të së ëmës. Shumë burra arabë me prestigj i kërkuan dorën, por ajo thonte gjithnjë:
“Nuk do të martohem deri kur Enesi të bëhet burrë”, ndaj Enesi thonte: “Allahu ia shpërbleftë nënës sime, sepse u kujdes shumë për mua.” Falë ndikimit të saj, Ebū Talha elEnsārī u bë musliman. Ai i kërkoi dorën kur ishte akoma kāfir, por ajo s’pranoi përderisa të përqafonte Islamin; ndaj, ai e pranoi ftesën e saj për të përqafuar besimin e ri dhe mehri i tij për të ishte pranimi i Islamit. Ajo lindi një djalë prej tij, por foshnja u sëmur dhe vdiq e ajo tha: “Askush s’duhet t’ia përmendë vdekjen e tij të atit përpara meje.”
Kur i shoqi erdhi në shtëpi dhe pyeti për të birin, ajo tha: “Ai është në kënaqësinë më të madhe” e ai kujtoi se ajo po thoshte se djali i tyre po fle.
Ajo i shtroi darkën, pastaj veshi rrobat më të mira, vuri ca parfum e ai ra në shtrat me të. Të nesërmen ajo i tha: “Lutu për shpirtin e tët biri.” Ebū Talha ia tregoi ngjarjen të Dërguarit të Zotit (s) që i tha: “Allahu të bekoi ty mbrëmë.” Ajo tregon se ai (s) iu lut Allahut t’i jepte asaj atë që ajo donte e madje më tepër. Po atë natë, ajo mbeti shtatzënë me ‘Abdullāh ibn Ebū Talhan, mbi të cilin Allahu i derdhi bekimet e Tija. Ai është babai i Is‘hāk ibn ‘Abdullāh ibn Ebū Talha fekīh dhe kishte dhjetë vëllezër, çdonjëri nga të cilët qe burrë i dijes.
Umm Selīmja merrte pjesë në fushatat ushtarake të Profetit. Ditën e Uhūdit, ajo mbante një kamë për të therur çdo të pafe që t’i afrohej. Ajo i bëri shërbim të madh Islamit, dhe unë nuk di tjetër grua përveç saj që Profeti (s) t’i bënte vizitë në shtëpi e ajo t’i ofronte atij një dhuratë. Ajo ishte e ndërgjegjshme për statusin e familjes së tij, e njohur me të drejtat e tyre... Allahu lëshoftë mëshirën e Tij më të ëmbël mbi të.) një grua e urtë me arritje të shumta, e cila gëzonte status veçanërisht prestigjioz te i Dërguari i Allahut (s) falë qenies ndër të parat që pranuan Islamin dhe sinqeritetit, ndihmesës e sakrificave të saja për çështjen e tij. Profeti (s) e kishte zakon t’i bënte vizitë e të fliste me të në shtëpinë e saj. Një ditë ai i tha: “O Ummi Selīme! Trupi i ‘Alīut është prej timit dhe gjaku i tij është prej timit; ai është për mua si Harūni për Mūsain.”
(Ky hadīth i Ummi Selīmes, është i 2554 në Kenz ul-‘Ummāl, dhe gjendet në f. 154, vëll. VI. Ai ndodhet edhe në Muntekheb ul-Kenz, prandaj, drejtojuni rreshtit të fundit të shënimit në faqe 31, vëllimi i V i Musned-it të Ahmedit, ku do ta gjeni të cituar shprehimisht.)
Është e qartë se ky hadīth përbën vetëm një pjesë të hadīthit të tij të gjatë, i cili u shqiptua për të përcjellë të vërtetën dhe ofruar këshillën për hir të Allahut, për ta theksuar statusin e mëkëmbësit të tij, që do e zëvendësonte kur ai të mos ishte më, dhe si i tillë nuk mund të kufizohet vetëm në Betejën e Tebūkut.
2) Një hadīth i ngjashëm u tha në rastin e bijës së Hamzait, për të cilën debatuan ‘Alīu, Xha‘feri dhe Zejdi. I Dërguari i Allahut (s) atëherë foli: “O ‘Alī! Ti je për mua si Harūni për Mūsain...”
3) Një rast tjetër ndodhi kur Ebū Bekri, ‘Umeri dhe Ebū ‘Ubejde ibn ul-Xherrāh ishin në prani të Profetit (s) i cili ishte i mbështetur te ‘Alīu. Profeti (s) i ra ‘Alīut në sup e tha:
“O ‘Alī! Ti je më i forti ndër besimtarët në īmān, i pari që pranoi Islamin dhe statusi yt ndaj meje është i ngjashëm me atë të Harūnit për Mūsain.”
(Kjo citohet nga Hasan ibn Bedri, nga Hākimi në kreun mbi nofkat, Shīrāzīu në kreun e tij të mbiemrave, vëll. VI, dhe nga Ibn el-Nexhxhāri. Ai është hadīthi 6029 dhe 6032 në Kenz ul-‘Ummāl, f. 395.)
4) Hadīthet e Vëllazërimit të Parë e përfshijnë po ashtu këtë tekst. Ato u thanë në Mekë para hixhrës, kur i Dërguari i Allahut (s) bëri vëllazërimin ndërmjet muhāxhirëve.
(Vëllazërimi i ‘Alīut me të Dërguarin e Allahut (s) është një nderim i paprecendent dhe një pozitë të cilën s’mundi ta arrinte askush. Si para, ashtu dhe pas hixhrës, Profeti (s) e deklaroi vëllazërinë (mu‘ākhāt) e tij me ‘Alīun dhe e konfirmoi atë në shumë raste, që asnjë musliman të mos e harronte. Lidhur me vëllazërimin e parë, në Mekë, në Sīre Halebijje shkruhet: “Pasiqë Profeti (s) vendosi vëllazëri midis sahabëve (Ebū Bekrit dhe ‘Umerit, Useid ibn Hudejrit dhe Zejd ibn Harīthes, ‘Abdur-Rahmān bin ‘Aufit e Sa‘d ibn el-Rabī’ut, dhe Ebū ‘Ubejdes e Sa‘d ibn Mu‘ādhit), ai kapi dorën e ‘Alīut e tha: ‘Ky është vëllai im.’ Që prej atij çasti, ‘Alīu dhe i Dërguari i Allahut (s) qenë vëllezër.” (vëll. II, f. 26, kr. Insān el-‘Ujūn; Ibn Hishām, Sīre, I, 505; etj).)
5) Në rastin e Vëllazërimit të Dytë, në Medine, pesë muaj pas hixhrës, Profeti vëllazëroi muhāxhirët me ensārët. Në të dyja rastet, ai zgjodhi ‘Alīun për vëlla, (4Gjatë diskutimit të biografisë së ‘Alīut në el-Istī‘āb, Ibn ‘Abd el-Berri e përshkruan kështu atë: “Ai bëri vëllazërim me të Dërguarin e Allahut (s), ndër muhāxhirë, pastaj ndër muhāxhirë e ensārë. Në secilin prej këtyre rasteve, ai i tha ‘Alīut: ‘Ti je vëllai im në këtë jetë e në tjetrën’, pastaj bëri vëllazërim midis vetes e ‘Alīut.” Hollësitë ndodhen në librat e hadīthit dhe historisë. Për detajet e vëllazërimit të parë, shihni në f. 26, vëll. II i Sīre Halebijje, kurse ato të vëllazërimit të dytë në f. 120, vëll. II po aty, dhe do të gjeni se si e pëlqeu Profeti (s) ‘Alīun mbi të gjithë të tjerët në të dyja rastet. Në Sīre Dehlānijje, hollësirat e rrethanave të vëllazërimit të parë e atij të dytë, janë të ngjashme me të botuarat në Sīre Halebijje. Autori gjithashtu pohon se vëllazërimi i dytë ndodhi pesë muaj pas hixhrës.) duke e preferuar mbi të gjithë të tjerët e duke i thënë: “Ti je për mua si Harūni për Mūsain vetëm se s’do të ketë profet pas meje.” Transmetimet rreth kësaj janë mutewātir. Drejtojuni asaj që kanë thënë të tjerë mbi Vëllazërimin e Parë, si p.sh. hadīthi i Zejd ibn Ebū ‘Aufes. Imam Ahmedi e ka përfshirë atë në librin e tij Menākib ‘Alī, Ibn ‘Asākiri në Tarīkh, (Këtë e citon Ahmed ibn ‘Asākiri prej një grupi autoritetesh të besuara si elMuttekī el-Hindī; ndaj, drejtojuni hadīthit 918 në Kenz ul-‘Ummāl, në fillim të faqes 40 të vëllimit të pestë. Ai gjithashtu citohet në f. 390, vëll. VI, i librit Menākib ‘Alī i Imam Ahmedit, nën numrin 4972.) Begewīu e Taberānīu në Muxhem-ët përkatës, Barūdīu në el-Ma’rifeh, po ashtu Ibn ‘Adīu etj.
(Këta Imamë e citojnë këtë prej një grupi autoritetesh të besuara, si el-Muttekī el-Hindī në fillim të faqes 41, vëll. V, në Kenz ul-‘Ummāl, me nr 919. )
Hadīthi në fjalë është mjaft i gjatë dhe përmban udhëzime si të vendoset vëllazëria. Ai mbaron me: “‘Alīu tha: ‘O i Dërguari i Allahut! M’u këput shpirti e m’u plas buza, duke parë çfarë bëre për shokët e tu dhe mua më lë vetëm. Nëse kjo është shenjë e zemërimit tënd ndaj meje, atëherë unë veç ty të ankohem dhe lus faljen tënde.’ I Dërguari i Allahut tha: ‘Betohem me Atë që më nisi të përcjell të Vërtetën rreth Tij, unë s’të ruajta veçse për vete. Ti je për mua si Harūni për Mūsain, vetëm se nuk do të ketë profet pas meje. Ti je vëllai, trashëguesi dhe shoku im.’ ‘Alīu e pyeti: ‘Çfarë do të trashëgoj unë prej teje?’ Ai (s) u përgjigj: ‘Gjithë çka lanë profetët para meje për ata që i trashëguan: Librin e Zotit të tyre, dhe Sunne-tin e profetit të tyre. Ti do të jesh shoku im në shtëpinë time në Xhennet bashkë me bijën time Fātime. Ti je vëllai dhe shoku im.’ Pastaj ai, paqe pastë mbi të e familjen e tij, recitoi ajetin: {Ne do të heqim prej zemrave të tyre çdolloj mërie; vëllezër të ulur në frone do të jenë, përballë njëri tjetrit} (15:47), duke iu referuar vëllezërve të cilëve Allahu ua bashkoi zemrat në dashuri e që e shikojnë njëri tjetrin me dhembshuri të sinqertë. Drejtojuni gjithashtu ngjarjeve të Vëllazërimit të Dytë. Et-Taberānī në elKebīr, citon Ibn ‘Abbāsin që përcjell një hadīth se i Dërguari (s) i tha ‘Alīut: “A je zemëruar se lidha vëllazëri ndërmjet muhāxhirëve dhe ensārëve e nuk të zgjodha një vëlla prej tyre? A s’je i kënaqur që statusi yt karshi meje është si ai i Harūnit ndaj Mūsait, vetëm se nuk do ketë profet pas meje?”
(Kjo citohet nga el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, ndaj, drejtojuni shënimit të Muntekheb-it, në f. 31 të vëll. V, në Musned-in e Ahmedit, dhe do ta gjeni atë shprehimisht siç e cituam këtu. Nuk është e vështirë të shoshitet kuptimi i frazës ‘e ke zemëruar ‘Alīun’ e të kuptohet domethënia e shoqërisë, dhembshurisë dhe dashurisë së një babai të mëshirshëm e të mirë ndaj të birit.
Nëse pyesni veten pse ‘Alīu kishte pak dyshime herën e dytë kur u la pas, ndonëse edhe herën e parë kishte ca, atëherë ai zbuloi se Profeti e kish ruajtur për vete. Nëse pyesni përse ai nuk e shikoi ngjarjen e dytë në dritën e së parës, përgjigjja është se rasti i dytë nuk mund të krahasohej me të parin, sepse i pari kishte të bënte vetëm me muhāxhirët. Prapë, krahasimi s’e ndaloi Profetin (s) nga vëllazërimi me ‘Alīun, ndaj të dytit i cili qe mes muhāxhirëve e ensārëve. Një muhāxhir këtu mund të lidhej me një ensār, e anasjelltas.
Meqë Profeti (s) dhe wasi-u ishin muhāxhirë, gjasat ishin që në rastin e dytë ata të mos bëheshin vëllezër; ndaj ‘Alīu mendoi se vëllai i tij do të ishte një ensār, ashtu sikurse të tjerët, për nga analogjia. Kur i Dërguari i Allahut (s) nuk lidhi vëllazëri ndërmjet vetes e ndonjë ensārīu, pak dyshim i hyri në mendje, por Allahu e i Dërguari i Tij (s) këmbëngulën ta preferonin atë dhe kështu u qe: ai e Profeti (s) u bënë vëllezër, në kundërshtim me normën e zakonshme të praktikës mes muhāxhirëve dhe ensārëve në atë çast dhe atë vend.)
6) Ky hadīth u tha edhe kur u dha urdhër të mbylleshin dyert e sahabëve me pamje nga xhamia e Profetit në Medine, përveç asaj të ‘Alīut. Xhābir ibn ‘Abdullāhi citon të Dërguarin e Allahut, paqe pastë mbi të e familjen e tij, duke thënë:
“O ‘Alī! Lejohet për ty të bësh në këtë xhami çdogjë që më lejohet mua dhe ti je për mua si Harūni për Mūsain, veçse nuk do ketë profet pas meje.” Hudhejfe ibn ‘Asīd el-Gifārī thotë se Profeti (s) mbajti njëherë një hytbe me rastin e mbylljes së atyre dyerve, ku ai tha: “Ka njerëz të cilëve nuk u ka pëlqyer që i nxora ata nga xhamia dhe mbajta ‘Alīun. Allahu, i Buti e Fuqiploti, e frymëzoi Mūsain dhe të vëllain të vendoseshin në Egjipt e t’i bënin shtëpitë kibël e t’i thonin lutjet e tyre”, gjersa tha “‘Alīu është për mua si Harūni për Mūsain. Ai është vëllai im, dhe askujt prej jush s’i lejohet të banojë aty veç tij.”
Burimet e këtij hadīthi janë të panumërta dhe s’mund të radhiten në një letër të shkurtër si kjo; megjithatë, shpresoj se çfarë pohova këtu mjafton për të rrëzuar pretendimin se ai kufizohet vetëm në Luftën e Tebūkut. Ç’peshë mund të mbajë ai pretendim në dritën e bollëkut të burimeve të këtij hadīthi?
7) Kushdo që është i njohur me biografinë e Profetit (s) do e shohë atë, paqe pastë mbi të e familjen e tij, t’i përshkruajë ‘Alīun e Harūnin si dy yjet e ndritshëm (Farkadejn) që ngjajnë shumë, ku asnjëri s’ndryshon aspak nga tjetri. Kjo përbën në vetvete dëshmi të gjeneralitetit të statusit të këtij hadīthi, gjë që që vjen ndërmend pavarësisht nga çfarëdo preteksti, siç e shkoqitëm më lart; dhe paqe pastë me ju.
Sinqerisht,
Sh