LETRA 3

7 Dhu’l Ki’de 1329 H.

 

I Pse s’u përmbahen Shī‘itët Medhhebeve të Shumicës?

II Nevoja për Bashkim,

III Bashkimi Arrihet Vetëm duke iu Përngjitur Medhhebeve të Shumicës.

 

1) Po ju pyes tani për arsyet që ju (shī‘itët) nuk ndiqni shkollën e shumicës së muslimanëve, d.m.th. atë të el-Esh‘arīut në rrënjët e fesë dhe katër medhhebet në degët e saj. Muslimanët u pajtuan t’u përmbahen atyre në çdo kohë dhe mjedis, duke e shpallur njëzëri ndershmërinë dhe ixhtihādin e themeluesve të tyre, besueshmërinë, përzotshmërinë, heqjen dorë nga pasuritë e dynjasë, sinqeritetin, moralin e mirë dhe statusin e tyre të lartë në dije dhe vepra.

 

2) Sa e madhe është sot nevoja jonë për bashkim e uniformitet; kjo mund të arrihet përmes të bashkangjiturit tuaj këtyre medhhebeve, në përputhje me mbarëpëlqimin e muslimanëve, sidomos kur armiqtë e dīnit kanë vendosur njëherë e mirë të na lëndojnë me të gjitha mënyrat e mundshme. Ata i kanë përqendruar mendjet dhe zemrat në mendime të tilla, ndërkohë që muslimanët janë të pavëmendshëm, si të kapluar nga dremitja tek i ndihmojnë armiqtë e tyre kundër vetvetes, duke u lejuar atyre t’ua shpërbëjnë radhët dhe shqyejnë unitetin përmes ithtarizmit e fanatizmit, që i lë ata të përçarë dhe të ndarë, duke e shpënë njëri tjetrin në rrugë të shtrembër dhe duke e shkishëruar njëri tjetrin. Kështu pra, ujqërit na bënë gjah dhe qenërit na lakmuan mishin.

 

3) A shihni ju ndonjë rrugë tjetër përveç asaj që po shtrojmë këtu, Allahu jua udhëzoftë hapat për të na bashkuar radhët? Tregomëni, sepse do jeni i dëgjuar kur të flisni dhe i bindur kur të urdhëroni, dhe paqja qoftë me ju.

 

Sinqerisht,

S

 

 


LETRA 4

8 Dhu’l Ki’de 1329 H.

 

I Provat Ligjvënëse Urdhërojnë të Përmbajturit Medhhebit të Ehl ulBejtit,

II Nuk Ekziston Asnjë Provë për Urdhërimin e të Përngjiturit Medhhebeve të Shumicës,

III Brezat e Tre Shekujve të Parë s’i Njohën Kurrë ato Medhhebe,

IV Mundësia e Ixhtihād-it,

V Bashkimi Mund të Arrihet Duke Respektuar Medhhebin e Ehl ulBejtit.

 

1) Të përmbajturit tonë, në rrënjët e besimit, një tjetër shkolle nga ajo e Esh‘arīut dhe të ndjekurit tonë në degët e fesë të një medhhebi tjetër nga ato katër medhhebe, nuk ka qenë kurrë nga ithtarizmi e as nga fanatizmi. Ai gjithashtu s’ka qenë për shkak të vënies në dyshim të ixhtihād-it të Imamëve të tyre, paanshmërisë, besueshmërisë, integritetit apo lartësisë së tyre në dije dhe vepra. Përkundrazi, provat ligjvënëse na kanë urdhëruar të ndjekim medhhebin e Imamëve nga Familja e Profetit (s), djepi i mesazhit, vendi që vizitohet nga melekët, vatra e shpalljes dhe frymëzimit hyjnor. Ndaj, ne gjithmonë u jemi referuar atyre për t’i përvetësuar të gjitha çështjet e lidhura me rrënjët dhe degët e besimit, parimet e jurisprudencës, dijen e etikës, sjelljes dhe edukatës.

Ne i kemi bërë të gjitha këto në përputhje me diktatin e dëshmive dhe provave, duke ndjekur Sunne-tin e Kreut të profetëve dhe të dërguarve, paqe e bekime pastë mbi të dhe pasardhësit e tij. Sikur provat dhe faktet të na kishin lejuar të ndryshonim nga Imamët e Pasardhësve të Muhammedit (s), apo sikur të kishim mundur të arrinim afrinë e Allahut, i Madhëruar qoftë, duke ndjekur medhhebet e të tjerëve, atëherë ne do të kishim vijuar në gjurmët e masës së gjerë, duke vlerësuar miqësinë e forcuar lidhjet vëllazërore. Mirëpo, prova të forta i dalin besimtarit përpara, që e pengojnë atë nga të ndjekurit e animeve personale.

 

2) Gjithsesi, shumica nuk mund të vërtetojë se medhhebi i tyre duhet të preferohet mbi ato të të tjerëve, le pastaj ta bëjë atë të detyrueshëm!

Ne i kemi vështruar pretekstet e muslimanëve me një hetim të thellë dhe sy të mprehtë, por s’kemi gjetur asnjë provë për argumentin tuaj, përveç asaj që ju përmendët mbi ixhtihād-in e tyre, besueshmërinë, ndershmërinë dhe lartësinë morale. Mirëpo, ju e dini mirë se ixhtihād-i, besueshmëria, ndershmëria dhe lartësimi moral nuk janë monopol i tyre; prandaj, kur është kështu, si mund të jenë medhhebet e tyre të detyrueshme thjesht nga të treguarit tuaj të tyre?!

Nuk mendoj se ka ndonjeri që guxon të shtrojë të preferuarit e tyre në dije a vepra ndaj Imamëve tanë, që janë ‘Itra e Pastruar, barka e shpëtimit për ummetin, Porta e Pendesës, siguria ndaj mosmarrëveshjes në fe, flamujt e udhërrëfimit të tij, pasardhësit e të Dërguari të Allahut (s) dhe ajo çka i mbetet ummetit prej tij.

Ai, bekime pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, ka thënë: “Mos u dilni përpara se përndryshe do mbaroni e as mos u mbetni prapa se përndryshe do humbisni. Mos i mësoni, sepse ata janë më të ditur se ju.” Por janë diktatet e politikës në agimet e Islamit...

 

Çuditem për pretendimin tuaj se brezat e mirë të mëparshëm iu përngjitën atyre medhhebeve, duke i parë si më të mirët dhe më të drejtit e medhhebeve dhe se u pajtuan t’u përmbaheshin atyre në çdo kohë e rrethanë. Ju e pohoni këtë thua se nuk e dini se të parët tanë, brezat e mirë të së kaluarës që pasuan familjen e Muhammedit (të cilët përbënin gjysmën e ummetit) ndoqën vetëm besimin e Imamëve nga pasardhja e Muhammedit, bekime pastë mbi të dhe pasardhjen e tij. Ata s’gjetën për ta asnjë zëvendësim e kanë qenë kështu që nga koha e ‘Alīut dhe Fatimesë, kur as Esh‘arīu as cilido imam i katër medhhebeve e madje as baballarët e tyre nuk ekzistonin, siç e dini fare mirë.

 

3) Brezat e tre shekujve të parë, pra nuk ndoqën kurrë ndonjërën prej këtyre shkollave. Ku ishin ato medhhebe në kohën e atyre tre brezave, më të mirëve që jetuan ndonjëherë?!

 

  • Esh‘arīu u lind më 260 dhe vdiq më 324 H.
  • Ibn Hanbeli u lind më 164 dhe vdiq më 241 H.
  • Shāfi‘īu u lind më 150 e vdiq më 204 H.
  • Māliku u lind më 951 dhe vdiq më 179 H.
  • Ebū Hanīfe u lind më 80 e vdiq më 150 H.

 

Shī‘itët ndjekin medhhebin e Imamëve nga Familja e Profetit dhe familja e di më mirë se ç’përmban shtëpia. Të tjerët ndjekin medhhebet e sahabëve dhe të tabi‘īnëve të ditur; cila gjë, atëherë e bën “të detyrueshme” për të gjithë muslimanët që, pasiqë ato tre shekuj kishin kaluar, të ndiqnin ato medhhebe - në vend të atij të ndjekur para tyre?

Ç’i bëri ata ta shmangnin vëmendjen nga ata që ishin të barabartë vetëm me Librin e Allahut dhe shoqërues të tij, pasardhësit e të Dërguarit të Allahut dhe të besuarit e tij, barka e shpëtimit, prijësit, siguria dhe Porta e Pendimit e ummetit?

 

4) Çfarë u bë shkak që dera e ixhtihād-it t’u mbyllej muslimanëve përpara fytyrës pasi qe mbajtur e hapur kapak gjatë tre shekujve të parë, përveç të strehuarit në kundërshtim, rehati, përtaci, pranim deprivimi dhe kënaqje me injorancë? Kush do ia lejonte vetes, me vetëdije apo pa vetëdije, të thonte se Allahu, lartësimi e madhërimi qofshin për Të, s’ka sjellë më të mirin e të dërguarve dhe profetëve të Tij, me më të mirën prej feve dhe sistemeve të Tij qiellore e që Ai s’e ka plotësuar dīnin e tij për të dhe i ka përsosur bekimet e Tija mbi të e që s’i ka mësuar atij dijen e së shkuarës dhe së ardhmes, për të vetmin qëllim që e gjithë çështja të përfundonte tek Imamët e atyre medhhebeve, që ta monopolizonin atë për vete?!

 

Atëherë, ato do i ndalonin të gjithë të tjerët nga marrja e saj prej çdo burimi tjetër, thua se besimi islam, në Librin dhe Sunnetin e tij, si dhe në të gjitha provat dhe porositë e tjera, të ishte pronë e tyrja e se ata e kishin ndaluar takimin me të në çfarëdolloj mënyre tjetër nga opinionet e tyre... Mos vallë ishin ata trashëguesit e Profetit (s), apo mos i kishte vulosur Allahu përmes tyre khalīfët dhe Imamët, apo ua kishte mësuar atyre dijen e së kaluarës dhe atë të së ardhmes dhe u kishte dhuruar atyre çka s’i kishte dhuruar kurrë asnjë tjetri nga të gjitha qeniet njerëzore?!

Jo!

Ata ishin tamam si të tjerët, shtylla dhe kujdestarë të dijes, ndihmës dhe thirrës. Ata që ftojnë në dije qëndrojnë tepër lart mbylljes së dyerve të saj ndaj të tjerëve, apo të ndaluarit e tyre nga arritja e saj.

Ata s’i anojnë kurrë mendjet dhe as që e kufizojnë vëmendjen e publikut vetëm te vetvetja; as ua vulosin dot zemrat njerëzve apo t’i bëjnë të tjerët të shurdhër, të verbër, memecë, të prangosur ose të lidhur në zinxhirë.

Kjo s’mund t’u mvishet kurrë atyre, veçse si pretendim i gënjeshtarëve dhe vetë pohimet e tyre dëshmojnë për tonat.

 

5) Le të përqendrohemi tani në çështjen ndaj së cilës na tërhoqët vëmendjen: unitetin e muslimanëve. Ajo që shoh unë është se kjo çështje nuk varet te braktisja e besimit të tyre nga shī‘itët dhe as te braktisja e të tyrit nga sunnitë. T’u kërkosh shī‘itëve diçka të tillë pa u kërkuar të tjerëve të veprojnë njëlloj, është të preferosh jo në bazë të meritës e madje të favorizosh më pak të pëlqyeshmin. Është t’i kërkosh dikujt atë që ndodhet përtej aftësive të tij, siç u bë e ditur nga Hyrja jonë.

Po.

Bashkimi dhe uniteti mund të arrihen nëse e lironi medhhebin e Ehl-i Bejtit dhe e shihni atë siç shihni çdonjërin prej medhhebeve tuaja, në mënyrë që hanefītë, mālikītë, shāfi‘ītë dhe hanbelītë t’i konsiderojnë ndjekësit e Ehl ul-Bejtit mu ashtu siç konsiderojnë njëri tjetrin. Vetëm atëherë mund të arrihet uniteti i muslimanëve dhe ata do të jenë të bashkuar nën një kanatë. Ndryshimi mes vetë medhhebeve sunnite s’është më i vogël se ai ndërmjet atyre shī‘ite dhe sunnite, siç dëshmojnë mijëra libra mbi rrënjët dhe degët e besimit të të dyja grupeve; përse atëherë, disa njerëz mes jush i kanë dënuar shī‘itët se dallojnë nga sunnitë?

Përse nuk i kanë dënuar ata, me të njëjtën linjë arsyetimi, sunnitë për të ndryshuarit e tyre nga shī‘itët, apo madje edhe nga vetë njëri tjetri?

Nëse medhhebet mund të jenë katër, përse nuk mundkan të jenë pesë?

Si mund të jetë në rregull të ketë katër medhhebe, por jo pesë?

Si mund të pretendohet që katër medhhebe i “bashkojnë” muslimanët, ndërsa kur ato rriten në pesë, uniteti rrënohet dhe muslimanët përçahen?

Sa do të doja që, kur na ftuat neve në “bashkim të medhhebeve”, t’i kishit ftuar edhe ndjekësit e katër medhhebeve të veprojnë njëlloj. Kjo e fundit do të jetë shumë më e lehtë për ju dhe për ata. Por gjithsesi, përse na keni veçuar neve për ftesën tuaj?

A ju duken pasuesit e Ehl ul-Bejtit thyes të unitetit, ndërkohë që të tjerët bashkokan zemrat e vendosmërinë, ndonëse medhhebet dhe opinionet e tyre ndryshojnë dhe shijet e animet e tyre dallojnë?!

Unë ju shoh të jeni lart kësaj, duke ditur dashurinë tuaj për të afërmit; dhe paqe pastë me ju.

 

Sinqerisht,