LETRA 17

3 Dhu’l-Hixhe 1329 H

 

I Të Çmuarit e Ndjenjave të Debatuesit,

II Të Pranuarit se Nuk ka Objeksion që Ehl ul-Sunne të Mbështeten mbi Autoritetet Shī‘ite,

III Besimi i Tij në Mrekullitë e Ehl ulBejtit,

IV Dilema e Pajtimit të së Mësipërmes me atë që Bëjnë Ehl ul-Kible.

 

1) Betohem me sytë tuaj se kurrë s’kam parë ndonjeri më zemër- mirë, më të shkathët në trajtimin e temës, më të vëmendshëm, më të thellë në vizion, më të fortë në argument e më të qartë në prova sesa ju. Letrat tuaja kanë rrjedhë si ujëvarë vërshuese e argumentet tuaja m’i kanë pushtuar tërë shqisat dhe ndjenjat. Letra juaj e fundit ua përdredh qafat njerëzve e ia thërmon kokën gënjeshtrës.

 

2) Sunniu s’ka më asnjë justifikim që të mos mbështetet te vëllai i tij shī‘it, nëse ky është i besueshëm. Pikëpamja juaj lidhur me këtë është e vërteta e kulluar, ndërsa ajo e kundërshtarëve tuaj asgjë më shumë se fanatizëm dhe mostolerancë. Argumenti i tyre se është e gabuar të mbështetesh mbi shī‘itët u bie ndesh veprimeve të tyre, dhe veprimet e tyre me të vërtetë u bien ndesh argumenteve. Argumentet dhe veprat e tyre nuk garojnë në të njëjtën arenë, e as që ndjekin të njëjtin qëllim, për shkak të ndeshjes midis tyre që i bën ato të përplasen. Për këtë arsye, vërtetohet qartë se argumenti i tyre është i rremë, kurse i juaji mbetet i pathyeshëm. Për një kohë kaq të shkurtër, ju keni nxjerrë atë që do ta quaja një disertacion për të cilin titulli “Autoritete Shī‘ite në Mbështetje të Autoriteteve Sunnite” mund të jetë me vend. Qëllimi nuk është për të mbojtur këtë ose atë fraksion, apo për të ngadhënjyer në një debat; përkundrazi, unë shpresoj se kjo, me dëshirën e Allahut, do sjellë reformë të lavdishme për dār ul-Islāmin.

 

3) Ne besojmë në mrekullitë e Allahut, në ato të Sejjidinā Emīr ul-Mu’minīnit dhe në ato të Ehl ul-Bejtit (‘a), më tepër se ç’tregoni ju.

 

4) Çështja tani është që përse Ehl ul-Kible janë shmangur nga pasimi i rrugës së Imamëve të Ehl ul-Bejtit? Përse nuk e adhuruan ata Allahun sipas koncepteve të tyre të usūl-it dhe furū’-së? Përse nuk e morën ata fjalën e tyre si të fundit në çështjen për të cilën dallonin? Përse nuk i kanë studiuar dijetarët e ummetit pikëpamjet e tyre? Përse ata, përkundrazi, u janë kundërvënë ideologjikisht atyre? Dijetarët e ummetit u janë referuar përherë, që nga bijtë gjer te baballarët, të tjerëve përkundër Ehl ul-Bejtit, pa e mohuar diçka të tillë.

Nëse ajetet e Librit dhe tekstet e Sunnetit janë siç i treguat, Ehl ul-Kible s’do të ishin shmangur nga Imamët e Ehl ul-Bejtit, e as që do pranonin alternativë për ta. Por ata nuk kuptuan nga Libri e Sunneti veçse lavdërimin e Ehl ulBejtit dhe domosdoshmërinë e dashurisë dhe të respektit ndaj tyre. Të parët janë më pranë së vërtetës dhe me të njohur me kuptimet e Librit e të Sunnetit: {dhe ndiqni udhërrëfimin e tyre} (6:90). Wesselām.

 

Sinqerisht,

S

 

 

 


LETRA 18

4 Dhu’l-Hixhe 1329

 

I Ndjenjat e Ndërsjella,

II Gabimi i Debatuesit në Përgjithësimin e Ehl-i Kibles,

III Politikanët e Ummetit Janë Ata që u Shmangën nga Ehl ul-Bejti,

IV Imamët e Ehl ul-Bejtit Nuk Janë Kurrsesi Inferiorë karshi të Tjerëve,

V Cila Gjykatë e Drejtë Ligjëron Quajtjen e Pasuesve të Tyre “Devijues”?

 

1) Unë ju falënderoj që mendoni kaq mirë për mua, i padenjë sa ç’jam dhe i çmoj komplimentet tuaja ndaj meje dhe përmbajtjes së letrave të mia; prandaj e kërkoj një hirësi të tillë me përulje dhe gjunjëzohem para kësaj mirësie, për t’ia nderuar madhështinë dhe respektuar prestigjin.

 

2) Por do t’ju kërkoja të rishqyrtonit pohimin tuaj lidhur me ata që u shmangën nga Ehli Bejti, duke i përgjithësuar ata si Ehl ul-Kible. Ju kujtoj se gjysma e Ehl ul-Kibles janë shī‘itët e Muhammedit (s), të cilët nuk janë shmangur dhe as që do të shmangen ndonjëherë nga Imamët e Ehl ul-Bejtit në rrënjët dhe degët e besimit. Ёshtë qëndrim i tyri se ndjekja e medhhebit të tyre, paqe pastë mbi ta, është ndër urdhrat e prerë të Kur’anit dhe Sunne-tit; prandaj, ata e adhurojnë kështu Allahun në çdo kohë dhe vend. Kjo është rruga e të parëve të tyre të mirë si dhe ajo e pasardhësve të tyre, qëkur i Dërguari i Allahut (s) ndërroi jetë.

 

3) Ata që janë shmangur nga bindjet e Ehl ul-Bejtit në rrënjët dhe degët e besimit janë politikanët e ummetit, ata që ia kontrollojnë atij fatin, për shkak të shmangies së tyre nga pasuesia e Profetit (s), duke e ndikuar atë pasuesi me zgjedhje, ndonëse e dinin fare mirë se ajo ish caktuar për Prijësin e Besimtarëve ‘Alī ibn Ebī Tālib. Ata e panë që arabët s’do e toleronin një pasuesi të tillë po të kufizohej tek një familje; ndaj filluan t’ia interpretonin tekstet, duke marrë pushtet me anë të zgjedhjeve ashtu që çdo rrethinë e tyrja të mund ta shijonte atë, herët a vonë. Kësisoj, ajo kaloi andejkëndej. Ata bënë ç’mundën që ta mbanin ashtu dhe ta mbështesnin atë parim, duke i çrrënjosur tërë pikëpamjet dhe prirjet e kundërta. Atyre iu desh t’i kthenin shpinën shkollës së Ehl ul-Bejtit dhe filluan t’i interpretonin tekstet e Kur’anit dhe Sunne-tit se gjoja nënkuptonin domosdoshmërinë e ndjekjes së një koncepti të tillë.

Sikur t’u ishin nënshtruar provave të qarta e sikur t’ua kishin drejtuar atyre elitën dhe vegjëlinë në çështjet e rrënjëve dhe degëve të besimit, ata s’do të kishin gjetur asnjë alternativë karshi të bashkangjiturit parimit të tyre. Atëherë ata do të ishin bërë prej thirrësve më të zjarrtë të Ehl ul-Bejtit. Por kjo nuk përputhej me ambicjen, intrigat dhe politikën e tyre. Kushdo që i vështron me vëmendje këto çështje do zbulojë se të shmangurit nga Imamët e Ehl ul-Bejtit në medhhebin e vet s’është veçse shmangie nga prijësia e tyre, e cila vinte fill pas asaj të të Dërguarit (s), dhe se interpretimi i argumenteve mbi udhëheqjen e tyre të veçantë u përvetësua pas interpretimit të argumenteve mbi udhëheqjen e tyre të përgjithshme; përndryshe askush nuk do të ishte shmangur nga ata.

 

4) Lërini mënjanë tekstet dhe argumentet e tyre, dhe vështrojini ata pa marrë parasysh çfarë thamë mësipër; a ju duken atëherë ata, në dijen, veprat apo adhurimin e tyre, më të ulët se Imam Esh‘arīu, apo katër Imamët e tjerë, a cilido tjetër? Dhe nëse përgjigja është JO, atëherë përse u dashkan ndjekur të tjerët? Udhëheqja i duhet besuar më të kualifikuarit.

 

5) Cili gjykues i drejtë do vendoste se ata që kapen pas litarit të tyre e që pasojnë gjurmët të tyre janë devijues? Sunnitë qëndrojnë përmbi të dhënit e një vendimi të tillë, Wesselām.

 

Sinqerisht,

Sh