LETRA 105
16 Rebī’ul-Thāni 1330
Kërkesa për Tregimin e të Tjera Incidenteve të Tilla
Ne shpresojmë ta arrijmë përfitimin e plotë nëse ju citoni të tjerë përveç Imamit e Zehrāsë, duke na bërë kështu nder neve, wesselām.
Sinqerisht,
S
LETRA 106
18 Rebī’ul-Thāni 1330
I Argumenti i Ibn ‘Abbāsit,
II Argumentet e Hasanit dhe Huseinit,
III Argumentet e Sahābëve të Shquar Shī’itë,
IV Përmendja e Përdorimit të Testamentit si Argument nga Ata.
1) A mund t’jua ftoj vëmendjen tuaj te dialogu midis Ibn ‘Abbāsit e ‘Umerit në të cilin ky i fundit, gjatë një bisede të gjatë ndërmjet tyre, e pyeti:
“O Ibn ‘Abbās! A e di se çfarë ju pengoi juve nga marrja e khilāfetit?”
Ibn ‘Abbāsi thotë: “Nuk doja t’i përgjigjesha pyetjes së ‘Umerit, prandaj i thashë:
‘Nëse unë s’e di, e di prijësi i besimtarëve!”
‘Umeri tha: “Disave s’u pëlqente që edhe profetësia edhe khilāfeti të kufizoheshin te Shtëpia e juaj; prandaj, u kënaqën me manovrimin e tyre. Kurejshët e deshën për vete dhe ia dolën ta merrnin.” Unë i thashë: “O prijës i besimtarëve! A më lejon të them diçka, duke më premtuar se do ta përmbash zemërimin?”
Ai pohoi; atëherë Ibn ‘Abbāsi tha: “Sa për pohimin tënd, o prijës i besimtarëve, se Kurejshët e deshën për vete dhe ia arritën ta merrnin, po të them se sikur Kurejshët të ishin kapur pas asaj që kishte zgjedhur Allahu, kjo do të kishte qenë e pranueshme dhe pa hile. Sa për pohimin tënd se atyre s’u pëlqente ta shihnin edhe profetësinë edhe khilāfetin në Shtëpinë tonë, po të them se Allahu i Lartësuar e i Madhëruar, i ka përshkruar disa njerëz si të ligj, duke thënë: {...kjo për shkak se ata e urryen atë që zbriti Allahu, prandaj Ai ua asgjësoi veprat}." (Kur’an, 47:9.)
‘Umeri u zemërua e tha:
“Kurrsesi, o Ibn ‘Abbās, unë kam dëgjuar gjëra për ty të cilat nuk dua t’i besoj, që pozita jote në sytë e mi të mos bjerë.”
Unë e pyeta: ‘Cilat janë ato, o prijës i besimtarëve? Nëse janë të vërteta, statusi im para syve të tu s’duhet të bjerë; përndryshe, unë jam i zoti ta mbroj veten nga sulmet e liga.’ ‘Umeri atëherë tha: ‘Jam njoftuar që thua se ju kanë deprivuar nga khilāfeti për shkak të zilisë, shtypjes e padrejtësisë.’ I thashë: ‘Lidhur me pohimin tënd, o prijës i besimtarëve, se ishte shtypje, këtë e kanë kuptuar edhe të arsyeshmit edhe mendjeligët. Sa për zili, Ademit ia kishin zilinë e ne jemi bijtë e tij të lakmuar.’
‘Umeri e humbi toruan dhe ia ktheu: “Kurrsesi, kurrsesi! Zemrat tuaja o bij të Hāshimit, janë mbushur me zili që s’mund të shuhet.’ Unë atëherë i thashë: ‘Avash, o prijës i besimtarëve! Mos ua mvesh një përshkrim të tillë zemrave të atyre që Allahu ua ka {larguar të gjithë ndytësinë dhe i ka pastruar me një pastrim të skajshëm} (Kur’an, 33:33.)
(Ne e cituam shprehimisht nga Tarīkh ul-Kāmil i Ibn Athīrit i cili e përfshin atë në mbyllje të jetëshkrimit të ‘Umerit, mes ngjarjeve të vitit 23, f. 24, vëll. III; ai citohet edhe nga dijetari mu‘tezilī në biogafinë e ‘Umerit, f. 107, vëll. III i Sherh Nehxhul Belāgës.)
Ai debatoi me të edhe në një rast tjetër, duke e pyetur:
“Si e le kushëririn tënd?”
Ibn ‘Abbāsi mendoi se ai po fliste për ‘Abdullāh ibn Xha‘ferin e i tha: “E lashë me shokët e tij.”
Ai tha: “S’e kisha për atë; por të pyeta për Prijësin e familjes tuaj.”
Ibn ‘Abbāsi u përgjigj: “Jashtë, duke vaditur, tek recitonte Kur’an.”
‘Umeri i tha: “O ‘Abdullāh! Për gjakun e kurbanit, më thuaj të vërtetën, a është ai ende i preokupuar për khilāfetin?
Ibn ‘Abbāsi pohoi. Pastaj ‘Umeri pyeti: “A pretendon ai akoma se i Dërguari i Allahut (s) e caktoi për atë post?”
Ibn ‘Abbāsi u përgjigj: “Padyshim. Për më tepër, unë pyeta edhe tim atë nëse Profeti e kishte emëruar atë për khilāfet e ai ma pohoi.”
‘Umeri atëherë tha: “I Dërguari i Allahut e çmoi atë në një mënyrë të pazakontë, me fjalë dhe vepra, për t’i lënë vend ndokujt për ndonjë argument a justifikim, (Ai kërkon të thotë se fjala e të Dërguarit të Allahut (s) në lavdërim të ‘Alīut tregon se ‘Alīu gëzon pozitë të lartë, që pranohet pa mëdyshje nga ‘Umeri.) dhe vazhdoi ta testonte ummetin lidhur me të për ca kohë; (Ai don të thotë se Profeti, për shkak të lavdërimit të ‘Alīut me fjalë aq të urta, e teston ummetin për të parë nëse do ta pranonte atë si mëkëmbësin e tij.) madje, edhe kur u sëmur, ai deshi ta caktonte ‘Alīun me emër për atë [post], por unë e ndalova.”
(Kjo citohet nga Imām Ebū’l-Fadl Ahmed ibn Ebū Tāhiri në librin e tij Tarīkh ulBagdād, duke treguar se burimi i tij i besuar është Ibn ‘Abbāsi. Ajo citohet edhe nga dijetari mu‘tezilī që diskuton jetën e ‘Umerit në Sherh Nehxhul Belāga, f. 97, vëll. III.)
Në një dialog të tretë midis tyre, ‘Umeri tha:
“O Ibn ‘Abbās! Unë po e shoh sa padrejtësi i është bërë mikut tënd [‘Alīut].” Ibn ‘Abbāsi tha: “Atëherë jepja hakun, o prijës i besimtarëve.” Ibn ‘Abbāsi vazhdon: “Por ‘Umeri e tërhoqi dorën e tij nga e imja dhe u largua, duke pëshpëritur me vete për ca kohë. Pastaj, ai u ndal, ndaj iu afrova, e ai më tha: ‘O Ibn ‘Abbās! Nuk mendoj se njerëzit ia mohuan atij për arsye tjetër veç të qenit tepër i ri për të.’ Unë i thashë: ‘Për Allah, as Allahu as i Dërguari i Tij nuk e konsideruan tepër të ri kur e urdhëruan ta merrte Suren Teube prej dikujt (Ebū Bekrit.) .’ Me të dëgjuar këto fjalë, ai më ktheu shpinën e filloi të ecte shpejt; ndaj, e lashë të qetë.”
(Ky dialog përcillet nga historianët në diskutimet e tyre mbi ‘Umerin, dhe ne e cituam këtu nga Sherh Nehxhul Belāga e dijetarit mu‘tezilī; ndaj, drejtojuni faqes 105 të vëllimit të tij të tretë.)
Sa herë u përball ‘Abdullāh Ibn ‘Abbāsi, që është pena e ummetit, zëdhënësi i hāshimīve dhe kushëriri i të Dërguarit të Allahut (s) me situata të tilla?
Në Letrën 26, ju e patë se si debatoi ai me palën shtypëse duke cituar një hadīth që radhit dhjetë merita ekskluzive të ‘Alīut. Ky është një hadīth i gjatë e i famshëm në të cilin ai e citon Profetin (s) duke i pyetur kushërinjtë e tij:
“Cili prej jush dëshiron të jetë mëkëmbësi im në çështjet e kësaj jete, dhe të asaj që vjen?” Ata ngurruan, por ‘Alīu tha:
“Unë do të mbështes ty në këtë jetë dhe në tjetrën.”
Profeti (s) atëherë i tha ‘Alīut: “Ti je wali-u im në këtë jetë dhe atë që do të vijë.”
Në një hadīth tjetër, Ibn ‘Abbāsi tregon se gjatë fushatës së Tebūkut, i Dërguari i Allahut u nis, i shoqëruar nga shumë njerëz, dhe ‘Alīu e pyeti:
“A të vij me ty?” I Dërguari i Allahut (s) s’ia plotësoi kërkesën; ndaj, ai filloi të qante. Atëherë, Profeti i tha: “A nuk je i kënaqur që statusi yt ndaj meje është si ai i Harūnit ndaj Mūsait, veçse nuk do të ketë profet pas meje? Nuk nisem veçse duke të lënë ty si përfaqësuesin tim në mungesë.” I Dërguari i Allahut (s) i ka thënë gjithashtu atij: “Ti je wali-u i çdo besimtari pas meje” dhe “Ai që më pranon mua si wali-un e tij, ‘Alīu është mawla i tij [pas meje].”
2) Dinjitarët e pasardhësve të Hāshimit debatonin shpesh në mënyrë të tillë. Njëherë Hasani shkoi tek Ebū Bekri i cili ishte ulur në minber-in e të Dërguarit të Allahut (s) dhe i tha të zbriste nga një vend për të cilin babai i tij ishte më i denjë. Huseini tregohet t’i ketë folur ngjashëm ‘Umerit i cili qe ulur njëherë në po atë minber.
(Ibn Haxheri i ka cituar të dyja rastet në meksed-in e pestë të ajetit që urdhëron dashuri ndaj farefisit të Profetit (s), dhe në ajetin 14, prej të shtjelluarve në Kreun XI të librit të tij es-Sawā’ik ul-Muhrike; ndaj, drejtojuni f. 160. Dār Kutnīu e ka cituar rastin e Hasanit me Ebū Bekrin dhe Ibn Sa‘di atë të Huseinit me ‘Umerin në biografinë e këtij në Tabakāt.)
3) Librat e shkruar nga imāmītë lidhur me këtë temë citojnë shumë incidente në të cilat hāshimītë dhe pasuesit e tyre nga sahabët dhe tabi’īnët debatuan ngjashëm, dhe ato duhen hetuar nga ata që janë të interesuar për çështje të tilla. Mjafton të citojmë këtu Kitāb ul-Huxhxheh nga imam et-Tabarsīu ku ai citon pohimet e umejjadit Khālid ibn Sa‘īd ibn ul-‘Ās, (Khālid ibn Sa‘īd ibn ul-‘Āsi ishte prej atyre që e mohuan khilāfetin e Ebū Bekrit; ai refuzoi për tre muaj t’i jepte bejat, siç pohohet nga një grup sunnish të besuar si Ibn Sa‘di në jetëshkrimin e Khālidit në Tabakāt, f. 70, vëll. IV, duke shtuar se kur Ebū Bekri nisi trupat në Siri, ai e bëri gati flamurin për të dhe shkoi personalisht te shtëpia e tij, por ‘Umeri i tha Ebū Bekrit: “A po ia jep udhëheqjen Khālidit pasi e dëgjove atë që tha?” Ai vazhdoi të përpiqej, gjersa ai dërgoi Ebū ‘Urwe elDausin me mesazhin: “Khalīfi i të Dërguarit të Allahut (s) kërkon që të na e kthesh flamurin.” Ai e bëri këtë duke thënë: “Sundimi yt nuk na ka pëlqyer, e as shkarkimi yt nuk na ka dëmtuar.” Pasi dëgjoi këto fjalë, Ebū Bekri shkoi tek ai për t’i kërkuar falje, dhe ai i kërkoi me ngulm të mos e përmendte ‘Umerin në publik. Të gjithë historianët që e tregojnë ngjarjen e kësaj fushate për në Siri, e përmendin edhe këtë incident, sepse ai është një nga më të hollësishmit.) Selmān Fārsīut, Ebū Dher Gifārīut, ‘Ammār ibn Jāsirit, Mikdādit, Burejde el-Eslemīut, Ebū’l-Hejthem ibn ul-Tihānit, Sehlit e ‘Uthmānit, bijve të Hanīfit, Khuzejme ibn Thābitit Shehādetejnit, Ubejj ibn Ka’bit, Ebū Ejjūb Ensārīut dhe shumë të tjerë nga hulumtuesit e historisë së Ehl ul-Bejtit dhe të pasuesve të tyre. Ata nuk humbën rast për ta vërtetuar qëndrimin e tyre duke cituar pohime të hapura apo të nënkuptuara, të formuluara fuqishëm ose lëmueshëm, fjalime dhe shkrime, poezi e prozë, sipas asaj që lejonin rrethanat gjithsesi kritike të kohës.
4) Ata iu referuan pareshtur wasijetit, duke e përdorur si argument, siç dihet fare mirë nga studiuesit, Wesselām.
Sinqerisht,
Sh