Vetëm pak emra burrash, të cilët u shquan për dhuntitë dhe gjeninë e tyre, që i ngriti ata në majat më të larta të famës, mbeten të gdhendur ndër horizontet e botës islame. Emra të tillë, porsi yje të shndritshëm, kanë vazhduar të shkëlqejnë në thellësinë e qiejve. Sa për ata emrat e të cilëve janë skalitur anekënd dār ul-Islāmit, këta vërtet janë edhe më të paktë.
Ata përbëjnë një pakicë e s’janë tjetër veçse njerëz të cilët natyra i ka ngritur lart, duke arritur një gjenialitet aq të rrallë sa t’i bëjë unikë mbarë trojeve islame. Mes të tillëve është dhe autori ynë kryemjeshtër, Allahu ia prehtë shpirtin në paqe. Vullneti Suprem kish vendosur t’ia bekonte dijen dhe penën, duke nxjerrë nga to prodhimet më të mira të intelektit.
Mbase nuk e teproj po t’ia lejoj penës të shënojë se përmes asaj që ka sjellë në dritë, sejjidi ynë ka përparuar mu në ballë të dijetarëve shī‘itë. Këta ia kushtuan krejt jetët e tyre shërbimit të fesë dhe shkollës së tyre të mendimit.
Kështu, ai zë meritueshëm karrigen e parë në mesin e elitës së botës islame bashkëkohore. Brenda një ndërmarrjeje aq të kufizuar, nuk e shoh veten të prirë të shkoqis atë që Sejjid ‘Abdul-Husein Sherafuddīni ka arritur në lëmitë dhe nismat e [ndryshme të] jetës. Detyra mund të kishte qenë më e kollajtë sikur autori në fjalë të kish qenë një tjetër.
Do të kishte qenë më e lehtë sikur ai të radhitej ndër ata njerëz, jetët dhe veprat e të cilëve ishin të kufizuara. Por një njeri, kalibri i të cilit është aq i pamatë sa i këtij autori, e bën të vështirë për cilindo shkrimtar ta përshkruajë e t’i japi hakun.
Kur një shkrues qëndron para një ndërmarrjeje të tillë, ai pashmangshëm ndihet sikur vihet përballë një brezi të tërë që gjëmon me britma jete, të cilat vërshojnë nga të gjitha anët dhe drejtimet. Ai vështirë se mund t’ia gjejë burimin secilës, përveçse nëpërmjet kërkimit ngulmues me përgjegjësitë e plota të logjikës dhe dijes. Një të përveshur i tillë madje mund të jetë përtej kapacitetit të historianëve të besueshëm.